4 të vrarë dhe 2 të plagosur është bilanci i një përplasjeje me armë që ndodhi 30 minuta pas mesnatës në plazhin e Velipojës. Konflikti për ndarjen e hapësirës së plazhit për vendosjen e shezlongëve mes dy hoteleve ka degjeneruar në përdorimin e armëve.
Viktimat janë Kujtim Ferracaku 59-vjeç, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38-vjeç si dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, punonjës i shezlongëve që kishte nisur punën pikërisht të shtunën. I plagosur ka mbetur Hasan Ferracaku 54 vjeç si dhe nipi i tij Elmilind Dyli 17 vjeç.
Konflikti mes familjeve që kanë në pronësi hotelet “Fantazia” dhe “Gocaj” dhe që ndodhen vetëm 50 metra larg njëri tjetrit kishte ditë që kishte nisur për ndarjen e sipërfaqes së plazhit. Në mbrëmje anëtarët e familjes Ferracaku shkuan në hotelin Gocaj me qëllim që të sqaroheshin, por gjerat janë acaruar më tej dhe palët kanë nxjerrë armët duke lënë të vrarë nga të dy krahët.
Të dyja palët kanë qenë të armatosura dhe këtë e konfirmoi edhe drejtori i policisë së Shkodrës. Dyshohet se në ngjarje u përdorën të paktën 4 armë, dy nga të cilat kallashnikovë, 1 pistolete Glok dhe 1 pistolete TT.
Viktima Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut që u ekzekutua teksa kalëronte në zonën e Livadheve në 2018-ën. Në gjendje të rëndë është në spitalin e Traumës në Tiranë dhe vëllai i tij Hasan Ferracaku, si dhe nipi i tij Elmilind Dyli që ka marrë një plumb në këmbë.
Në vendin e ngjarjes shkuan krerët më të lartë të policisë së shtetit si dhe zbarkuan Forcat RENEA me qëllim mbajtjen e situatës nën kontroll në mënyrë që konflikti të mos acarohej më tej. Policia ka shoqëruar mbi 20 persona për të marrë dëshmitë e tyre ndërsa janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë.
Burime zyrtare thanë se ka edhe persona të shpallur në kërkim për këtë ngjarje.