Imzot George Frendo ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Velipojë, në orët e para të ditës së sotme, ku 4 persona u vranë me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi si pasojë e një konflikti për të drejtën e hapësirës ranore pranë hoteleve të personave në fjalë.
“Mbrëmë janë vrarë katër persona. Ndoshta nuk u frikësuam, nuk u trembëm, e as nuk u habitëm. Sepse kur një shoqëri humb vlerat morale rrënjësore, nuk habitet më me skandalet, me ngjarjet jo të denja për njeriun.
Kjo është tragjedia më e madhe: kur shoqëria nuk alarmohet më me këto ngjarje. Do të thotë se tani u mësuam me ngjarje të tilla. Nuk na habisin as nuk na trondisin më. Janë bërë pjesë e eksperiencës sonë. Duhet të flasim më pak për politikë dhe për futboll, e të flasim më shumë për ndërtimin e një shoqërie të re, ku mësojmë më shumë si të respektojmë jetën njerëzore dhe të drejtat e njeriut. E pastaj mund të flasim për politikën pse jo edhe për kampionatin evropian të futbollit, etj. Por le të vendosim prioritetet tona atje ku duhet. Le të bëjmë çmos për ta shmangur vetëvrasjen e kombit. Por kush do të jenë arkitektët e kësaj shoqërie që duam?”, lexohet në reagimin e Imzot Frendos.