Extra Historia e pabesueshme e gruas që u rrit nga majmunët e xhunglës...

Historia e pabesueshme e gruas që u rrit nga majmunët e xhunglës kur ishte 4 vjeç, nuk e njohu familjen kurrë

Pavarësisht se mund të tingëllojë çuditshëm, Marina Chapman, nga Bradford, West Yorks, Angli, pretendon se ajo është rritur nga një familje majmunësh kapuçinë pasi u rrëmbye në Kolumbi, në vendin e saj të lindjes.

Ajo ka treguar se si në moshën katër vjeç, e gjeti veten të frikësuar dhe në zemër të pyllit pasi u rrëmbye nga kopshti i familjes së saj dhe u braktis disa ditë më vonë në xhungël.

Marina, tani 71 vjeç, nuk kujton asgjë për familjen e saj biologjike ose jetën e saj para se të rrëmbehej. Ditën që ajo u rrëmbye ishte hera e fundit që i pa. Por ajo mban mend një tjetër familje të saj në mënyrë të përsosur. Gruaja ka treguar se ka jetuar me majmunët në xhunglën e Amerikës së Jugut për rreth 5 vite.

Pas disa ditësh, ajo thotë se kolonia e kapuçinëve e mirëpriti atë në familjen e tyre dhe e ndihmoi të mbijetojë në një ambient plot me rreziqe të tilla si gjarpërinj vrasës, insekte që thithin gjak, bimë helmuese dhe përmbytje të shpejta.

Marina ka kujtime të kafshëve që lëkundnin pemët duke e mësuar atë si të kërkonte fruta dhe arra, duke e ndihmuar atë të gjente ujë të freskët apo të pastrohej siç pastroheshin ata.

Mashkulli më i madh i grupit të majmunëve ndërhyri për ta shpëtuar pasi u helmua nga një frut i kalbur.

“Kisha ngrënë një frut të keq që më trullosi e më bëri keq. Gjyshi majmun, një krijesë me flokë të bardha, pa dhëmbë, më afroi dhe më futi në një përrua disa herë. Më pas u shtriva në breg duke kollitur dhe kollitja u kthye në të vjella.  Gjyshi majmun u ul gjatë gjithë kohës pranë meje, duke më parë me kujdes. Unë se mora vesh kurrë sesi gjyshi majmun dinte si të më shpëtonte, por ai e bëri”, është shprehur ajo.

Pas disa vitesh jetese të egër dhe gjumit në një pemë të zbrazur, Marina pretendon se ajo u kap nga gjuetarët, u dërgua në një qytet aty pranë dhe përfundoi e shitur në një bordello, shkëmbyer për një grusht parash dhe një papagall të gjelbër.

“Flokët e mia, të trasha dhe të ngatërruara, kishin mbuluar pjesën më të madhe të fytyrës dhe trupit. Isha e zezë dhe e pistë. Nuk isha larë me vite dhe nuk qëndroja më në dy këmbë”, është shprehur gruaja.

Pasi u pastrua, Marina u vu në punë si një shërbëtore, por ajo shpëtoi pasi dëgjoi pronaren qe kishte rënë dakord t’i shiste virgjërinë e saj një biznesmeni të pasur.

Marina ka ndarë historinë e saj tronditëse të jetës në një libër, “Vajza pa emër”, duke përshkruar disa nga kujtimet e saj.

Në libër, ajo tregon se si u mor përfundimisht nga një familje e cila u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo u martua me një burrë Yorkshire në të 20-at e saj.

Edhe pse majmunët që e rritën të gjithë kanë vdekur prej kohësh, ajo ka provuar se është ende shumë e shkathët dhe e aftë në ngjitjen e pemëve, dhe gjithashtu mund të bëjë zhurma majmunësh.

Kur tregoi historinë e saj në fillim nuk e besoi askush, por duke iu nënshtruar testit të makinës të së vërtetës dhe aftësive të saj në xhungël, historia filloi të bëhej e besueshme.

Marina dhe burri i saj kanë dy vajza, njëra prej të cilave e ndihmoi të shkruante librin e saj.

Vanessa është shumë krenare për nënën e saj dhe shtoi se kurrë nuk e kuptoi se sa e pazakontë ishte jeta e nënës së saj derisa u rrit.