Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë 11 persona me Covid-19 nga 1915 testime. Rastet e reja janë në këto bashki: 3 raste në Tiranë, 2 në Vlorë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Lezhë, Kavajë, Kamëz, Tepelenë.
Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv.
Aktualisht janë 99 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.
Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 8 pacientë.
Është shëruar 1 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,053 që nga fillimi i epidemisë.
“Delta” në Shqipëri, ISHP: Ka dyshime, por jo prova
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik nuk ka ende një konfirmim zyrtar nëse varianti Delta i Covid-19 qarkullon ose jo në Shqipëri. Sipas specialistes Iris Hasibra, dyshimet mbeten të forta dhe te arsyeshme, por pritet përgjigja përfundimtare nga laboratori i referencës pas analizave të thelluara.
“Kemi dyshime të arsyeshme, por deri tani jo të konfirmuara zyrtarisht. Kemi dërguar dhe do të dërgojmë sërish kampione që janë me dyshime të arsyeshme, që paraqesin impakt në shëndetin publik në laboratorin e virologjisë në Berlin, laboratori i referencës për analiza të thelluara”.
Specialistja pohon se në botë janë konfirmuar raste të infektimit me variantin Delta edhe pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, megjithatë e këshillon fort si të vetmen mbrojtje nga virusi.
“Mesazhi i madh është që të bëhet vaksinimi me 2 doza i të gjithë personave që e kanë shtyrë apo e kanë ndërprerë vaksinimin sepse ka të dhëna që mund të jenë infektuar por e kane kaluar me simptoma më të lehta”.
Sipas studimeve varianti Delta i Covid-19 ka një përhapje me rreth 50% më shumë se sa ai britanik, e kryesisht tek moshat e reja.