Sport Milan dhe Juventus në garë për yllin e ri brazilian

Milan dhe Juventus në garë për yllin e ri brazilian

Prej vitesh Brazili nuk arrin të nxjerrë një yll në nivel ndërkombëtar, por duket se më në fund dhe për vendin e sambas, ka një shpërthim të ri. Kaio Jorge është emri i tij, një 19-vjeçar, që konsiderohet yll i ri i futbollit brazilian dhe del sërish nga akademia e Santosit, arsye kjo për ta krahasuar dhe me yllin e PSG-së, Neymar.

Sipas mediave braziliane, klubet italiane janë vënë në radhë për shërbimet e tij, me Milanin dhe Juventusin që kërkojnë të blejnë talentin brazilian, kontrata e të cilit me Santosin përfundon më 31 dhjetor të këtij viti. Arsye e mjaftueshme kjo për klubin paulist për të provuar që ta nxjerrë në treg që këtë verë, për të mos e humbur me parametër zero.

Kaio luan në rolin e fantazistit dhe Milani kërkon ta blejë, por duke parë se është jashtëkomunitar, dëshiron të lërë gjithçka pezull deri në ditët e fundit të merkatos. Santosi kërkon 10 milionë euro nga kuqezinjtë, që janë të gatshëm të shpenzojnë vetëm 6, por përfshirja e Juventusit gjithashtu në garë mund të rrisë çmimin e lojtarit, pavarësisht se dhe bardhezinjtë nuk duken të gatshëm për të paguar më tepër se 6 milionë euro.

E sigurt është që në këto kushte do të luajë rol dhe dëshira e vetë lojtarit, që, nëse kërkon të shpërthejë, duhet të zgjedhë vazhdimësinë në Europë dhe me shumë gjasa e ardhmja e tij do të jetë në Serie A.