Politika Basha uron anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD

Basha uron anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar 300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD në përfundim të garës brenda partisë.

“Mirënjohje për delegatët që në Kuvendin Kombëtar përfaqësuan demokratët anembanë Shqipërisë. Suksese Këshillit Kombëtar të përzgjedhur! Keni besimin e demokrateve dhe demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarish vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie. Sfidat që kemi përpara janë te mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu”, shprehet Basha.

Kreu i PD shprehet se në Këshillin e ri Kombëtar të PD ka më shumë gra dhe vajza dhe të rinj dhe theksoi se PD është e vetmja shpresë për të ndryshuar Shqipërinë.

“Këshilli i ri, i hapur për më shumë zonja dhe zonjusha, më shumë të rinj dhe të reja, do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë, sepse ne jemi e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim”, shkruan Basha në Facebook.

300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së u zgjodhën nga delegatët e Kuvendit Kombëtar, në një proces që u zhvillua të shtunën në Pallatin e Kongreseve.

Në listën fituese mungonin Edith Harxhi, e cila ishte një prej kandidateve për kryetare të PD, dhe Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Sipas ndryshimeve të fundit në Statutin e PD, minimalisht 90 duhet të jenë gra dhe vajza dhe 45 të tjerë anëtarë të forumit rinor të PD-së.