Aktivistë, gazetarë dhe avokatë përreth botës janë shënjestruar me një virus telefonik, duke rënë pre e përgjimeve. Programi u është shitur qeverive autoritare nga një kompani izraelite vrojtimi, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Një listë me rreth 50 mijë numra telefoni të personave që besohet se u interesonin klientëve të kompanisë NSO, është publikuar nga mediat prestigjioze. Nuk është e qartë se nga doli lista, ose telefonët e kujt u hakuan.
Megjithatë kompania izraelite nuk pranon ndonjë shkelje. Thotë se programi është menduar të përdoret kundër kriminelëve dhe terroristëve. Softueri është vënë në dispozicion vetëm ushtrive, agjencive të inteligjencës dhe forcave ligjzbatuese të shteteve me rekorde të mira në fushën e të drejtave të njeriut.
Në një deklaratë, thuhet se investigimi origjinal i medias Forbidden Stories dhe grupit për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ishte “I mbushur me supozime të gabuara dhe teori të pa mbështetura në prova”.
Akuzat lidhur me programin e njohur si “Pegasus”, u raportuan nga Uashington Post, The Guardian, Le Monde dhe 14 media të tjera prestigjioze përreth botës. Ai virus infektonte pajisjet iPhone dhe Android duke u mundësuar operatorëve të kopjojnë mesazhe, fotografi, emaile, regjistruar telefonata dhe aktivizuar mikrofonët në mënyrë sekrete.