Kryesore Protesta në Lungomare, Rama: Ndotja akustike nuk fiton dot mbi ata që...

Protesta në Lungomare, Rama: Ndotja akustike nuk fiton dot mbi ata që duan zhurmën e detit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me protestën e sipërmarrësve dhe operatorëve turistikë në Vlorë, të cilët kërkojnë shtyrjen e orarit të muzikës në mbrëmje. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shprehet se e drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi të drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit

“Protestë në Lungomare për muzikën? Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetëra linja burime menjëherë. E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi të drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit”.

Sipas Ramës, kushdo që do të kërcejë e të këndojë tërë natën, të organizohet në natyrë, apo në pika ku nuk shqetëson njeri.

“Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri, si në tërë botën e civilizuar turistike”, shkruan Rama.

Sipërmarrësit e Vlorës kanë përshkallëzuar protestën e tyre duke mbyllur biznesin. Sipas paralajmërimit të tyre, ky bllokim aktiviteti do të zgjasë 24 orë në shenjë proteste për ndalimin e muzikës. Bizneset e Vlorës kundërshtojnë ndalimin e muzikës pas orës 22:00, pasi sipas tyre ky kufizim i çon drejt falimentit.