Mbërriti tek Interin pas kërkesës së Antonio Contes, me të cilin kishte ndarë një përvojë të frytshme tek Juventusi, por tani që mentori i tij është larguar nga zikaltrit, duket se nuk ka shumë vend në formacion për Arturo Vidalin.
Kiliani, duhet pranuar, nuk ka patur ndonjë rol domethënës në suksesin e Interit në kampionat, pas 11 vitesh pa “scudetton”. Pak minuta në fushë dhe momente të pakta që të mbesin në kujtesë. Goli i shënuar ndaj ish-skuadrës së tij, Juventusit, në “San Siro”, i vetmi në kampionat, ishte shumë pak për një lojtar që kudo ka luajtur ka lënë gjurmë.
Performanca e shkëlqyer e ofruar në derbin e Italisë përfaqësoi kulmin e Vidalit me fanellën zikaltër, nga ai moment nuk ka mundur të jetë protagonist, siç do të kishte dashur, për problem fizike dhe zgjedhje të trajnerit.
Eriksen gradualisht e “largoi” nga formacioni titullar falë një rritje mbresëlënëse që u ndal vetëm pas problemit serioz në zemrës në ndeshjen e parë të Danimarkës në Europian.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, tek Interi nuk ka hapësirë të mjaftueshme për një si Vidal me pagë 6.5 milionë në vit. Klubi zikaltër mund të zgjedhë t’i japë fund kontratës me kilianin, që ende po shijon pushimet pas angazhimit në Copa America. E njëjta gjë ndodhi edhe me Joao Mario, që përfundoi te Benfica në Portugali.
Vidal ka kontratë deri në vitin 2022 me mundësinë për ta rinovuar edhe një sezoni tjetër, por që nuk ka gjasa të ndodhë.