Presidenti Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e gjyqtarit më të ri të Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi.
Ai është përzgjedhur për t’u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 9 gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë.
Në arsyetimin e dekretit, presidenti shpreh rezerva për veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë për vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë.
Sipas presidentit, dukshëm “është zvarritur në mënyrë të qëllimtë” ky proces, “duke i mbajtur ata nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021”.
Asim Vokshi, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë është gjithashtu anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi atë në detyrë në qershor të vitit të kaluar.