Kryesore “Si janë të organizuara familjet mafioze në Shqipëri”

“Si janë të organizuara familjet mafioze në Shqipëri”

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka konfirmuar deklaratat e forta të ambasadorit amerikan, Donald Lu, për 20 familje mafioze që kontrollojnë krimin në Shqipëri. Nisur nga dinamika e larjeve të hesapeve, Klosi pohoi se që as nuk vihet në diskutim që në Shqipëri ka familje që janë të lidhura me krimin që bën politikë.

Por, ish-kreu i SHISH theksoi se këto familje nuk kanë ngjashmëri me familjet mafioze italo-amerikane, të cilat kanë vepruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që kanë pasur një trashëgimi. Sipas tij, familjet mafioze nuk ekzistojnë në kuptim klasik të fjalës në Shqipëri, por janë organizuar si shoqëri apo grupime kriminale.

I pyetur se a ka familje mafioze në Shqipëri në kuptim klasik të fjalës, Klosi tha se: “Derisa ka vendosur për t’u futur në jetën e shoqërisë shqiptare, duke bërë të tilla deklarata, mirë është që ambasadori amerikan të mos e lërë me kaq, por të tregojë se çfarë di për familjet mafioze në Shqipëri, nëse u beson institucioneve aktuale. Nëse e ka fjalën për familjet mafioze që drejtojnë krimin në aspektin ekonomik në lidhje me politikën apo për familje me aktivitetet të tjera kriminale.

Nuk e dimë se për çfarë familjesh e ka fjalën ambasadori. Që në Shqipëri ka familje që janë të lidhur me krimin, kjo as që vihet në diskutim. Sigurisht që ka. Një tregues i rëndësishëm është se po ndodhin vrasje për ditë. Ka larje hesapesh. Këto janë veprime mafioze, për interesa të ndryshme. Këtë lloj lufte me njëri-tjetrin sigurisht që e bëjnë mafiozet, nuk mund ta bëjnë hajdutët e xhepave. E bën krimi i organizuar. Krimi që kanë një histori. Krimi që bën politikë”. 

Klosi shpjegoi edhe se si janë të organizuara familjet mafioze në Shqipëri: Së pari, nuk kanë ngjashmëri me familjet mafioze italo-amerikane, të cilat kanë vepruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka kondita të tjera, mjedis tjetër dhe kohë tjetër. Faktori kohë nuk është kusht në Shqipëri. Familjet mafioze mund të organizohen dhe të veprojnë edhe për dy-tre vjet. Pra, edhe pse kemi 27 vjet pluralizëm, koha nuk është përcaktuese sepse këtu organizohen ndryshe. Ne kemi parë filmat.

Nëse u referohemi filmave të Hollivudit, që flasin për familje mafioze me histori, sigurisht që nuk ka kohë. Ashtu siç i kemi parë nëpër filma, nuk ka kohë, pasi duhen breza për t’u shndërruar në një familje biologjike të mirëfilltë mafioze.

Por, në filma futen elementë të fantazisë, për të krijuar emocione dhe përshtypje. Historia nëpërmjet Hollivudit është tjetër gjë. Nuk ka lidhje me Shqipërinë. Por, nuk është aspak për t’u çuditur që janë krijuar grupime të tilla. Sa i takon termit, nuk janë familje në kuptim klasik të fjalës, por janë shoqëri kriminale, grupime etj., pra jo në kuptim biologjik. Gjithsesi, ambasadori amerikan Donald Lu mund të thotë më konkretisht se për çfarë familjesh e ka fjalën”.