“Në parlament do të futem ashtu siç më kanë votuar shqiptarët”. Është kjo përgjigjja që ka ish-kryeministri Sali Berisha i pyetur për mesazhin e ambasadores amerikane Yuri Kim ndaj kreut të PD-së.
Në një konferencë për mediat Berisha tha se do të mbrojë të vërtetën dhe kërkoi nga Partia Demokratike që të kërkojë prova dhe fakte, por në mungesë të tyre të mos pranojë diktatin amerikan.
“Çdo vendimi që në vend të transparencës zgjedh diktatin unë i kundërvihem në betejën përfundimtare kundër këtij regjimi. Ajo që unë mund të them është mbrojtja e të vërtetës. Unë kërkoj nga PD që të mos angazhohet në këtë betejë. PD ka një detyrë të kërkojë fakte, prova dhe dokumente dhe në mungesë të tyre të mos pranojë kurrë diktatin. Nuk po mbroj veten time, por disa parime që janë jetike për çdo qytetar të lirë dhe dinjitetin e çdo shqiptari”.
I pyetur për heqjen e mandatit Berisha u shpreh se nuk i druhet këtij fakti, por thekson se është detyrë e KQZ të zbatojë kushtetutën.
“Nuk i druhem aspak faktit për heqjen e mandatit. KQZ është e detyruar të zbatojë kushtetutën kushtetuta këtu shkelet çdo ditë, si në rastin që ka zemëruar ambasadores kur unë denoncova marrëveshjen e Delina Ficos që shkel kushtetutën e këtij vendi, që jep me koncension dosjet gjyqësore. Irritimi i saj vjen për daljen time në një TV të Kosovës ku shpreha ato që kam shprehur gjithnjë për Soros, por edhe për qëndrime të tjera për ndryshimin e kufijve të Kosovës”.