Kryesore A do ta përjashtojë Basha nga PD? Berisha: Nuk ka forcë që...

A do ta përjashtojë Basha nga PD? Berisha: Nuk ka forcë që më ndalon

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk do ta dorëzojë mandatin e deputetit, pavarësisht kërkesës së ambasadores amerikane Yuri Kim. I pyetur nëse kreu i PD, Basha, do ta largonte nga grupi parlamentar, Berisha tha: “E them edhe një herë, nuk ka forcë në botë përveç të gjithëfuqishmit që mund të më pengojë mua pa ushtruar misionin tim, të besuar nga zgjedhësit shqiptar. Kjo është përfundimtare. Sa di unë, kryetari i PD në takim me zonjën Kim ka kërkuar të njëjtën gjë. Por ata që nuk bëjnë transparencë, kanë një problem madhor, kanë frikë nga e vërteta. Nuk ka forcë në botë që mund të imponojë mua një qëndrim tjetër përveç këtij. Cilido që akuzon pa fakte bazë, ka probleme madhore me karakterin e tij”.

Ndërsa pyetjes nëse i druhet heqjes së mandatit nga KQZ, Berisha iu përgjigj: “Nuk i druhem aspak faktit. KQZ është e detyruar të zbatojë Kushtetutën”.

Duke komentuar deklaratat e ambasadores Kim, Berisha tha se ajo e përdori jo rastësisht “dogmën e barit”. “Ambasadorja Kim është unike në botë, si ambasadore që pasi ka lavdëruar të nesërmen e masakrës zgjedhore, kërkon tani t’i diktojë këtij vendi se kush duhet apo kush nuk duhet të futet në Parlament. Ajo e lidhi konceptin e saj me dogmën e barit. Jo rastësisht. Ajo është e shkolluar mirë dhe ka lexuar edhe Enver Hoxhën edhe Abraham Lincoln-in. Për të gjithë ata para gjeneratës suaj, diktati dhe bari janë binom i pandarë. Shqiptarët e dinë mirë se në diktaturë, diktatori u ofronte si rrugë shpëtimi për rrugën e tij barin. Shqiptarët kanë ngrënë bar dhe kanë vdekur nga bari. Diktatura dhe bari janë të lidhura. Unë po bëj pikërisht këtë, që shqiptarët të mos hanë bar dhe rruga e vetme është transparenca. Unë nuk po ofroj bar, por transparencë”, tha Berisha.