Atletja bjelloruse që u largua në Poloni pasi kritikoi në rrjetet sociale trajnerët e saj përdori aplikacionin e “Google Translate” për t’u thënë policëve japonezë se ndihej në rrezik.
Krystina Tsimanouskaya, e cila shkoi në Varshavë të mërkurën, tha për mediat se aplikacioni i Google për përkthimin e ndihmoi për t’iu larguar autoriteteve bjelloruse që po e detyronin me forcë të largohej nga Tokio.
Atletja qe dërguar me forcë në aeroport pasi pati kritikuar në Instagram mënyrën e përfaqësimit të Bjellorusisë në Lojërat Olimpike.
Komiteti Olimpik i Bjellorusisë drejtohet nga Viktor Lukashenko, djali i Presidentit Alexander Lukashenko, i cili akuzohet se manipuloi zgjedhjet e fundit presidenciale duke përndjekur kundërshtarët politikë.
“Kur arrita në aeroport përdora Google Translate për t’u kërkuar ndihmë policëve japonezë. Vajta pranë tyre dhe u tregova përkthimin në telefon,” – tha Tsimanouskaya.
Siç ka thënë atletja, si fillim policët nuk e kuptuan mirë situatën, por pasi ajo pretendoi se kishte harruar diçka në fshatin Olimpik ata pranuan ta shoqëronin jashtë aeroportit duke e larguar kështu nga zyrtarët bjellorus.
Rrugës për në fshatin Olimpik, Tsimanouskaya telefonoi me familjarët, të cilët i thanë se mediat bjelloruse e kishin përshkruar atë “me sëmundje mendore”. Atletja shpjegoi në Poloni se kishte qenë gjyshja e saj, ajo që i kishte sugjeruar të mos kthehej në Bjellorusi.
Të enjten zyrtarë të BE-së dhe Polonisë e mirëpritën sportisten në Varshavë duke i siguruar asaj se asaj do t’i sigurohet jeta.
“Një tjetër bjellorus krenar është detyruar të largohet nga vendi për shkak të regjimit të Lukashenkos,” – shkroi në Twitter përfaqësuesi i Jashtëm i BE-së Josep Borrell.
Në lidhje me këtë çështje BE i ka kërkuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar hetim të plotë dhe ndëshkim të Bjellorusisë nëse ajo ka shkelur protokollet.