Në përpjekje për t’u larguar nga Afganistani aty ku kontrollin e kanë marrë talebanët, një grua afgane ka sjellë në jetë foshnjen e saj.
Gruaja kishte hipur së bashku me familjen në avionin ushtarak amerikan C-17 për t’u evakuuar nga vendi drejt Bazës Ajrore Ramstein në Gjermani.
Por teksa aeroplani ishte në fluturim, gruan afgane e kapën dhimbjet e lindjes dhe solli në jetë foshnjen.
Lajmin e ka bërë të ditur Komanda Ajrore e SHBA, që ka vlerësuar edhe pilotin e avionit, manova e të cilit i shpëtoi jetën gruas shtatzënë.
Kur gruas i nisën komplikacionet, piloti uli avionin në një lartësi më të ulët për të rritur presionin e ajrit në aeroplan. Për fat të mirë gjithçka kaloi me sukses dhe nëna me fëmijën janë në gjendje të mirë.
Aeroplani u ul në bazën ajrore në Gjermani ku po dërgohen afganët e larguar dhe që më pas do të shpërndahen në destinacione të tjera.