Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund aventurës te Juventusi. Paraditen e së premtes, ylli portugez u paraqit në qendrën stërvitore të bardhezinjve, ku takoi shokët e ekipit. Pak orë më pas, ai u pikas në aeroport, për të nisur udhëtimin me “charter” privat drejt Anglisë, aty ku tashmë e pret Manchester United.
Kur të gjithë e panë atë një hap larg ekipit të Pep Guardiolës, në fakt ka ndodhur tjetër gjë; CR7 ka rënë dakord për t’u kthyer aty ku e ka nisur futbollin e madh europian, me Sir Alex Ferguson në stol. “Djajtë e Kuq” kanë siguruar përsëri shërbimet e asit luzitan, duke vendosur në “pjatë” një kontratë 2-vjeçare, ndërsa oferta e City ishte ndalur në një vit, plus bonuse.
Fjalët e Solskjaer në mëngjes kishin hapur dyert për kthimin e portugezit, tani mbetet të sqarohet pse “qytetarët” u tërhoqën nga negociatat. Thelbi i marrëveshjes, megjithatë, nuk ndryshon: Manchester United ka vendosur t’i paguajë Juves milionat e kërkuara për kartonin, shumën që iu kërkua dje menaxherit Mendes në samitin e “Continassa”, diçka midis 25 dhe 28 milionë eurove.
Ndërkohë, Manchester United dhe Ronaldo kanë rënë dakord për kushtet personale, për një kontratë prej 270.000 £ në javë. Tarifat e agjentëve gjithashtu janë dakordësuara të gjitha. Ai po kthehet në shtëpi.