Covid-19 nuk konsiderohet më një kërcënim për shoqërinë në Danimarkë. Konfirmimi vjen nga ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët. Për këtë arsye, qeveria e Kopenhagenit do të heqë të gjitha kufizimet për luftimin e pandemisë, duke nisur nga 10 shtatori. Kjo erdhi si rezultat i ndërgjegjësimit të qytetarëve, pasi ky shtet ka vaksinuar 70 për qind të popullatës në total. Në deklaratën zyrtare, ministri i Shëndetësisë, Magnus Heunicke, thekson se niveli i imunizimit është rekord. Ai shton se “pandemia për momentin është nën kontroll”.
Megjithatë nënvizon se duhet treguar ende kujdes pasi ky sukses i vogël nuk do të thotë se rreziku është mposhtur.
“Nuk kemi dalë akoma nga pandemia”, thekson ministri danez. Gjithashtu paralajmërohet se qeveria e Kopenhagen nuk do të hezitojë të marrë menjëherë masat e nevojshme nëse Covid-19 do të rikthehet të kërcënojë funksionimin normal të shoqërisë.