Politika Rama: Në mandatin e tretë do punojmë për dy fitore të tjera

Rama: Në mandatin e tretë do punojmë për dy fitore të tjera

Në një darkë ku ishin të pranishëm deputetë të rinj e të vjetër, përveç falenderimeve për ata që nuk do të jenë më në parlament në mandatin e 3 qeverisës, Kryeministri Edi Rama prezantoi disa prej objektivave kryesore për 4 vitet e ardhshme.

“Tani nis njëkohësisht, në tre hapësirat e detyrave tona, puna e madhe për dy fitore të tjera, shumë të rëndësishme, zgjedhjet vendore të 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të 2025. Çfarë do të mbledhim përditë nga sot e deri atëherë, do të korrim në ditën kur populli do të ndajë të njomët nga të thatët. Ashtu siç ishte fitorja e këtyre zgjedhjeve, ajo më e vështira sipas meje, ashtu dhe mandati i tretë do të jetë më i vështiri në aspektin e arritjes së rikonfirmit të PS, si forcë qeverisëse 4 vjet nga sot. Por më shumë se kaq. Mandati i tretë do të jetë një sfidë shumë e madhe në vetvete. Sepse nëse në të parin e nxorëm Shqipërinë nga gropa ku e zhytën rivalët tanë, në të dytin vumë themele të qëndrueshme rritjeje në çdo sektor, ky i treti do të jetë mandati i ngjitjes më lart, drejt asaj maje ku e duam Shqipërinë në fund të kësaj dekade”.