Dy familje afgano-amerikane, të cilat ndodheshin në Afganistan kur ra qeveria e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, rrëfejnë peripecitë e udhëtimit të tyre të frikshëm nga aeroporti i Kabulit në Amerikë. Korrespodenti i shërbimit afgan të Zërit të Amerikës, Mohammad Ahmadi u takua me familjet:
Herawi kishte shkuar në Afganistan tre muaj më parë për të vizituar babain e sëmurë.
Ajo është shtetase amerikane me banim në Tenesi, por shprehet e shqetësuar për sigurinë e miqve dhe të familjes, prandaj nuk do t’i duket fytyra në ekran. Herawi tregon se u detyruan të ndërprisnin udhëtimin para kohe dhe të shkonin me ngut në aeroportin e Kabulit pasi ra papritur qeveria afgane.
Iu deshën gati 24 orë për të arritur në aeroport përmes postblloqeve të talebanëve dhe turmave të mëdha.
“Kur arritëm pranë hyrjes së aeroportit, zona kontrollohej nga talebanët, të cilët nuk po i lejonin njerëzit të futeshin. Ata qëllonin me armë, i rrihnin njerëzit. Shumë njerëz mbetën të plagosur. Pas shumë përpjekjesh, arritëm te porta e dytë dhe pasi kishim pritur rreth katër orë, dolën 400-500 trupa amerikane. Për fat të mirë, unë jam qytetare amerikane dhe kisha me vete pasaportën dhe dokumentet, prandaj na lanë të futemi në aeroport,” tregon Herawi.
Ajo thotë se turma e njerëzve që prisnin për t’u larguar që t’u shpëtonin talebanëve, po pushtohej nga dëshpërimi.
“Kur po përpiqeshim të hynim në aeroport, një grua e shtrirë përtokë u shtyp nga turma. U përpoqa sa munda për ta shpëtuar, por për fat të keq, nuk arrita. Mbaja vajzën në krahë. Nuk do ta harroj kurrë atë moment,” thotë Harawi.
Sulltan Alizada është një tjetër afgano-amerikan që kishte shkuar në Kabul me gruan dhe tre fëmijët për të parë nënën. Ai tregon mbi peripecitë që kaluan për të shkuar në aeroportin e Kabulit javën e kaluar që të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara.
“Kishte të shtëna pa pushim. Një gëzhojë boshe ma goditi vajzën në fytyrë dhe i preu buzën,” tregon ai.
Ai thotë se fëmijët janë traumatizuar dhe nuk duan të shkojnë më në Afganistan.
“Vajza e madhe që kupton më shumë më tha ‘Nuk do të shkoj më kurrë në Afganistan. Bëmë gabim që shkuam këtë herë’,” tregon zoti Alizada.
Shtetet e Bashkuara thonë se që nga korriku janë evakuuar afro 88,000 vetë nga Afganistani, ndërkohë që mijëra të tjerë presin për evakuim në aeroportin e Kabulit./VOA