Ish-Presidenti amerikan George Bush e quan të drejtë vendimin e tij 20 vite më parë për të ndërhyrë ushtarakisht në Afganistan dhe për ta pushtuar pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në kullat binjake.
Në një intervistë për BBC disa ditë para 20-vjetorit të këtyre sulmeve, Bush tha se vendimin e mori për të mbrojtur amerikanët.
“Kam marrë disa vendime të mëdha. Duke filluar me faktin që Amerika është në luftë. Dhe ato vendime nuk u morën në zemërim e sipër, u morën duke pasur një qëllim në mendje, që ishte për të mbrojtur popullin amerikan. Mendoj se kisha të drejtë”.
I pyetur nëse veprimet e tij pas 11 Shtatorit e bënë botën më të sigurt, Bush u përgjigj: “Nuk ka patur sulme të tjera kundër SHBA. Le t’ua u lëmë historianëve që ta zgjidhin. Dua të them që jam i kënaqur me vendimet që kam marrë”.
Por si e kujton ai momentin kur sapo u informua se ishin sulmuar kullat binjake?
“Në fillim mendiva se ishte gabim i pilotit. Nuk mund të imagjinoja asgjë tjetër përveç faktit se ishte një pilot i keq”, u shpreh Bush duke menduar se përplasja ishte një aksident.
Kur ndodhi sulmi terrorist në SHBA, George Bush dhe anëtarë të lartë të kabinetit të tij ndodheshin në një shkollë fillore për të promovuar programin e ri arsimor.