Bota Kush ishte Noriega: Nga spiun i CIA-s në armik të amerikanëve prej...

Kush ishte Noriega: Nga spiun i CIA-s në armik të amerikanëve prej drogës

Manuel Noriega, ish-sundimtari ushtarak i Panamasë, që u rrëzua nga pushteti prej amerikanëve në vitin 1989, vdiq në moshën 83-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur presidenti i vendit Juan Carlos Varela, që theksoi tha se vdekja e tij mbyll një kapitull të historisë së Panamasë.

Noriega vdiq për shkak të hemorragjisë në tru.

Ish-diktatori e drejtoi vendin e Amerikës Qendrore nga viti 1983 deri në vitin 1989.

Noriega ishte spiun i CIA-s, por u kthye në armik të amerikanëve pasi regjimi i tij brutal përkrahu ndjeshëm trafikun e drogës.

Kjo solli edhe pushtimin amerikan në vitin 1989.

Noriega kaloi 17 vite burg në Amerikë për çështjen e drogës. Më pas u dërgua në Francë për të vuajtur sërish në burg.

Vitet e fundit të jetës i kaloi në një burg panamez, i akuzuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Ai e akuzonte Uashingtonin për konspiracion, që ta mbanin sa më shumë në burg.

Noriega la pas gruan Felicidad dhe vajzat Lorena, Thays dhe Sandra.

Pas largimit të Noriegës nga pushteti, Panamaja iu nënshtrua ndryshimeve radikale. Vendi mori kontrollin mbi Kanalin e Panamasë në vitin 1999 dhe po shijon një bum në turizëm.

Sot vendi nuk ka asgjë të ngjashme me periudhën e vitit 1989, kur amerikanët bombarduan lagje të tëra dhe Noriega u fsheh në Ambasadën e Vatikanit.

Prej andej doli pasi trupat amerikane e “bombarduan” me muzikë me zë të lartë rock.

I njohur si “Fytyrë-ananasi”, ai lindi në një lagje të varfër.

Pasi iu bashkua ushtrisë, i ngjiti shpejt shkallët e karrierës dhe u bë këshilltar i afërt i gjeneralit Omar Torrijos, që u bë lider i Panamasë në vitin 1968 pas grushtit të shtetit.

Dy vite pas vdekjes misterioze të Torrijos në një përplasje avioni, Noriega u bë sundimtar i Panamasë.

Noriega vlerësohej si një aset i rëndësishëm i CIA-s. Por SHBA i ktheu shpinën pas vrasjes së një kundërshtari politik në vitin 1985 dhe pasi Noriega iu bashkua trafikantëve të drogës.

Disa përpjekje për grusht shteti ndaj tij dështuan.

Megjithatë rënia nisi në vitin 1988, kur një gjykatë në Florida e paditi për trafik droge.

Noriega doli me një thikë-mashetë përpara turmës e tha se nuk do të dorëzohej.

SHBA urdhëroi nisjen e pushtimit të Panamasë në dhjetor të vitit 1989. Noriega u kap dhe u dërgua në Majemi.

Gjatë operacionit humbën jetën 23 ushtarë amerikanë.

Pentagoni përllogarit se u vranë 200 civilë panamezë dhe 314 ushtarë.