Kryesore Shkarkimi Bashës përçan “rebelët”, Bregu kundër Imamit dhe Topallit

Shkarkimi Bashës përçan “rebelët”, Bregu kundër Imamit dhe Topallit

Deputetët e pakënaqur me vendimin e Lulzim Bashës për t’i lënë jashtë listës së PD për zgjedhjet e 25 qershorit janë të përccarë në qëndrimet e tyre.

Pas Astrit Patozit, është Majlinda Bregu ajo që shprehet kundër shkarkimit të Bashës nga kreu i partisë.

Në një intervistë për ‘Vizion Plus’, Bregu gjykon se tani është koha për të bërë fushatë në mënyrë që Partia Demokratike të fitojë në 25 qershor, duke mos mbështetur kërkesën e Arben Imamit dhe Jozefina Topallit.

“Nuk është hera e parë që flas për forumet dhe as për statutin e Partisë Demokratike, i cili në fakt ka një të vërtetë dhe ky është fakt tashmë,  të cilën e kemi diskutuar dje dhe në një kafe shumë miqësore me miq që statuti nuk është respektuar dhe është shkelur. Megjithatë mua më intereson më shumë sot, dhe besoj të gjithë ne së bashku na intereson Partia Demokratike”, ka deklaruar Bregu.

Deputetja ka theksuar se interesi kryesor tani është fitorja e opozitës në zgjedhje.

Na intereson që Partia Demokratike të vazhdojë të jetë e fortë, Partia Demokratike të maksimalizojë rezultatin e saj në zgjedhjet e qershorit dhe njëkohësisht ajo për të cilën besoj ka interes çdo demokrat i vërtetë është që Partia Demokratike si shtëpia e madhe e lirisë së shqiptarëve të vazhdojë të jetë po aq e fortë sa ka qenë dhe jo të ekzistojë si gjallesë fantazëm e republikës së re. Kjo është më e rëndësishme për ne, dhe të siguroj që si unë edhe të gjithë kolegët që kemi takuar dje nuk kemi asnjë interes tjetër primar përveç interesit për të punuar me të gjitha mundësitë që do kemi në këtë fushatë pro Partisë Demokratike”, ka deklaruar Bregu.