Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të dy punonjësve të policisë pranë Komisariatit Lushnje, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.
Marrja e masave shtrënguese ndaj këtyre subjekteve policore ka ardhur pas hetimeve nga ana e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA Fier, bazuar mbi dyshimet se gjatë ushtrimit të detyrës, këta punonjës kanë abuzuar me detyrën, duke moszbatuar me korrektësi procedurat standarde për ndalimin e drejtuesit të një mjeti të shpallur në kërkim, si edhe kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”.
Në këto kushte, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj punonjësit të policisë E. C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, të parashikuara nga neni 248 dhe 86/3 i Kodit Penal.
Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale ndaj punonjësit të policisë A. P., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, të parashikuara nga neni 248 dhe 86/3 i Kodit Penal.