Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se Turqia mbetet një partner i rëndësishëm në trajtimin e çdo sfide të re të emigracionit në Evropë.
“Ne e konsiderojmë dhe unë si kryeministër i Greqisë e konsideroj Turqinë një partner në menaxhimin e problemit të emigracionit dhe unë kam pasur një diskutim shumë të hapur me Presidentin Erdogan, dhe kemi rënë dakord që është e rëndësishme që të mbajmë refugjatët dhe emigrantët potencialë sa më afër vendit të tyre. Ne e mbështesim Turqinë për të adresuar këtë problem. Nga ana tjetër, unë duhet të theksoj se ne nuk do të kemi një përsëritje të asaj që e pamë në vitin 2015”.
Ai shtoi se Bashkimit Evropian i mungon një politikë kohezive në trajtimin e çështjes së emigrantëve.
“Për sa i përket çështjes kryesore të miratimit të një politike evropiane për politikat e azilit është e dukshme se nuk ia kemi dalë ende mbanë. Ne kemi nevojë për rregulla të përbashkëta në lidhje me azilin”.
Ngjarjet që po ndodhin në Afganistan kanë nxitur frikën për një krizë të re emigrantësh.
Ardhjet e emigrantëve në Greqi, qoftë nga toka ose nga deti, në përgjithësi janë ngadalësuar që nga viti 2016, kur BE -ja ra dakord për një marrëveshje me Turqinë për të frenuar flukset në këmbim të mbështetjes financiare.
Greqia dhe shtetet e tjera të jugut të BE, vende të cilat përballojnë më shumë emigrantë janë ankuar tashmë prej kohësh për mungesën e mbështetjes nga koleget e shteteve të pasura. BE-ja ka premtuar edhe 276 milionë euro për kampe të reja emigrantësh në ishujt grekë të cilat përballojnë flukset nga Turqia.