Opinione Paradoksi Merkel: Si e dobësoi Gjermaninë fuqia e kancelares

Paradoksi Merkel: Si e dobësoi Gjermaninë fuqia e kancelares

Nga Alexander Clarkson – New Statesman

Kjo është fotoja që ka simbolizuar epokën e Angela Merkel. Gjatë një samiti të G7-ës në qershorin e vitit 2018, kancelarja gjermane qëndronte në mesin e një grumbulli kryeministrash dhe presidentësh, duke i shpjeguar plot vetëbesim një çështje Donald Trumpit që ziente nga inati.

Edhe pse brenda partisë së saj shpërthyen grindjet, duke e detyruar atë të deklaronte se nuk do të garonte sërish për kancelare në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, ky imazh i kancelares që ligjëronte para një presidenti amerikan të çartur, e forcoi shumë pozitën e saj si udhëheqësja e famshme evropiane e fillimit-shekullit XXI.

Që Merkel do të arrinte një pozitë kaq dominuese, dukej e pamundur kur ajo u ngjit në pushtet për herë të parë pas një fushate zgjedhore të ashpër në vitin 2005. Në kushtet kur kishte siguruar vetëm një avantazh të lehtë për partinë e saj kristiandemokrate të qendrës së djathtë (CDU) dhe simotrën e saj bavareze CSU, mbi Partinë Socialdemokrate të qendrës së majtë të drejtuar nga Gerhard Schröder, Merkel kishte një hapësirë ​​të kufizuar për manovrim.

Zgjedhja e saj si kancelare e një Koalicioni të Madh mes CDU/CSU dhe SPD, dukej më shumë si rezultat i dobësisë së kundërshtarëve brenda partisë së saj, apo i gafave të mëdha të Schröder në orët e para pas zgjedhjeve, sesa i ndonjë valë entuziazmi për kancelaren e parë grua të Gjermanisë.

Merkel e forcoi gradualisht pozicionin e saj, duke konsoliduar reformat e nisura nga paraardhësit e saj në qeveritë e koalicionit SPD-Të Gjelbrit në fundin e viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000.

Duke stabilizuar institucionet dhe duke qetësuar debatet politike ajo luajti mirë me votuesit gjermanë, të cilët ndjeheshin të lodhur nga vitet e gjata dhe ndryshimet e forta që pasuan pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989.

Ndërkohë që votuesit gjermanë ishin të shqetësuar për reformën në sistemin shtetëror të çerdheve dhe kopshteve, apo nga reformat tatimore të nxitura nga ministrat ambiciozë si Ursula von der Leyen ose Peer Steinbrück, politika e BE-së dhe ajo e jashtme luajtën një rol periferik në perceptimet publike të udhëheqjes së Merkel.

Krizat e njëpasnjëshme e vulosën transformimin e Merkel në një nga lojtaret kryesore në politikën globale, ato u përshkallëzuan në vitin e fundit të Koalicionit të Madh, dhe morën më tepër vrull gjatë qeverisjes me koalicionin FDP (Demokratët e lirë), liberalët e tregut të lirë që zgjati gjatë viteve 2009-2013.

Duke filluar që nga kriza financiare globale, votuesit gjermanë e panë kancelaren e tyre të vihej në krye të përpjekjeve të mëdha për të mbrojtur BE-në e sulmuar nga një mori fatkeqësish. Pavarësisht nëse kjo krizë ishte aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe lufta në rajonin ukrainas të Donbasit, lufta për stabilizimin e euros, shembja e kontrolleve kufitare të BE-së dhe rritja dramatike e numrit të refugjatëve, apo përpjekja për të vënë nën kontroll përhapjen e Covid-19, strategjitë e Merkelit për menaxhimin e krizave kanë qenë të diktuara nga dy tema të përsëritura.

E para bazohet mbi një stil udhëheqjeje që e projekton autoritetin në një mënyrë jo heroike e të studiuar. Duke përcjellë imazhin e një njeriu të qetë dhe të matur, ajo u krijoi gjermanëve përshtypjen se lidershipi i saj do t’i mbronte ata nga trazirat në botën e gjerë.

Kur pozitat e saj si kancelare u tronditën nga kolapsi që pësoi sistemi kufitar i BE-së dhe ardhja në kontinent e qindra mijëra refugjatëve në verën e vitit 2015, aftësia e saj për të rezistuar nën atë presion të madh i siguroi mjaftueshëm votues për të siguruar mbijetesën e saj politike, pavarësisht rritjes së Alternativës për Gjermaninë (AfD), partisë nacionalistë të ekstremit të djathtë.

Një nga shumë paradokset e epokës Merkel pas vitit 2015, ishte vënia e theksit tek stabiliteti mbi gjithçka tjetër, çka solli një shkallë të lartë mbështetjeje edhe nga shtetet e BE-së, që vuajtën pasojat e ngurtësisë së saj doktrinore gjatë përpjekjeve për të shpëtuar euron.

Dhe kjo erdhi pasi ishte pikërisht qetësia e shpërfaqur prej saj, ajo që ndikoi tek dëshira për qetësi pas kaosit. Tema e dytë e përsëritur në qasjen e Merkel ndaj menaxhimit të krizës, ishte gatishmëria e saj për ta kaluar pushtetin tek institucionet e BE-së, në mënyrë që të mbronte një proces të integrimit evropian, i cili mbështeste prosperitetin dhe stabilitetin e Gjermanisë.

Ndërsa projektonte imazhin garantues dhe të vazhdimësisë përballë gjendjeve të emergjencës, Merkel nxiti evropianizimin në shkallë të tillë, sa nëse do të kishte ndodhur kohën kur ajo nisi karrierën e saj politike në vitin 1990 do të ishte konsideruar shumë radikale.

Me programin e lehtësimit sasior të presidentit të Bankës Qëndrore Evropiane, Mario Draghi, për të shpëtuar monedhën e përbashkët, centralizimi i menaxhimit të kufirit në duart e Frontex dhe obligacionet e BE-së për fondin e rimëkëmbjes së vendeve të unionit nga pasojat e Covid-19, Merkel ka luajtur një rol kyç në përshpejtimin e zhvendosjes së BE-së drejt një trajektoreje më të ngjashme me shtetin në mënyra që shkuan shumë përtej asaj që ishin dikur vijat e kuqe gjermane mbi kufijtë e integrimit evropian.

Edhe pse ka qenë nën presion nga kritikët që kërkojnë që BE-ja të shkojë më tej në procesin e integrimin, si dhe nga kundërshtarët sipas të cilëve ajo ka shkuar shumë larg, Merkel ka arritur të përshpejtojë një transformim rrënjësor të sistemit të BE-së, me synim ruajtjen e stabilitetit të unionit.

Megjithatë, në përpjekjen e saj për t’i mbajtur gjërat ashtu siç janë, nëpërmjet gatishmërisë për të ndryshuar, Merkel e ka lënë shoqërinë gjermane të papërgatitur për sfidat e menaxhimit të një sistemi, dinamikat themelore të së cilit kanë ndryshuar ndjeshëm nga ato që ajo trashëgoi në vitin 2005.

Në kushtet e nevojës për një integrim të mëtejshëm evropian në fushën e mbrojtjes, Merkel nuk i ka vënë votuesit gjermanë përballë zgjedhjeve të vështira, me të cilat përballen të gjitha shtetet anëtare, se si të përdoret fuqia në rritje e BE-së për të mbrojtur interesat kolektive evropiane.

Suksesi i saj në kultivimin e ndjenjës se Gjermania mund të ishte e izoluar nga kaosi global, ka nxitur një atmosferë ndryshimi të erërave në vend, në të cilën deklaratat boshe të shprehjes së shqetësimit, cilësohen si zëvendësuesi i përshtatshëm ndaj aftësisë për të ndërmarrë veprime konkrete.

Pasi Merkel të largohet nga skena politike, sistemi i BE-së për të cilin ajo punoi aq shumë për ta transformuar, ka të ngjarë të formësohet më shumë përmes ndërhyrje hiperaktive të presidentit francez Emmanuel Macron, apo pragmatizmit të pamëshirshëm të homologëve të tij italianë, sesa nga koalicionet qeverisëse në Gjermani, që do të shfaqen pas zgjedhjeve të shtatorit. Cilido qoftë lideri i ardhshëm i BE-së që do të qëndrojë në qendër të një imazhi përcaktues të epokës së politikës evropiane, ai nuk ka gjasa të jetë një kancelar gjerman.