Në kufijtë e një skenari filmi është ajo që ka ndodhur me Davide Pecorelli-n, 45-vjeçarin italian, i cili para 8 muajsh u zhduk në Pukë dhe që prej asaj dite nuk dihej fati i tij. Por çdo gjë mori fund më 17 shtator, kur autoritetet shpëtuan në një gomone pranë një ishulli një person. Më vonë do të merrej vesh se ky person është Davide Pecorelli.
Autoritetet janë duke hetuar për të qartësuar se çfarë ka ndodhur që 45-vjeçari të inskenonte zhdukjen e të bënte shumicën e njerëzve që të mendonin se kishte vdekur. Italiani u gjet pa dokumente origjinale, por po përdorte një identitet ndryshe.
Hetimet tashmë janë përqendruar për të gjetur arsyen se pse Pecorelli është strehuar në ishullin e Giglio-s. Një nga hipotezat është që ai ka shkuar atje me qëllim. Flitet për një pasion të madh të tij për numizmatikën dhe se ai ka mundur që të shesë një koleksion monedhash me vlerë të lartë. Nuk ka prova konkrete për të mbështetur këtë fakt megjithatë po vijojnë hetimet.
Pecorelli duket se ka bërë një gabim që është pikasur nga autoritetet. Ditët e fundit, me llogarinë e tij është bërë një tërheqje në një bankomat në Romë. Pasi është kryer transaksioni ka shkuar një mesazh në telefonin e bashkëshortes së Pecorelli-t. Kjo ka lajmëruar autoritetet duke rritur shpresat se ai mund të ishte gjallë.
Pecorelli pritet që të dalë të hënën para gjykatës dhe do duhet të japë shpjegim për zhdukjen e tij gjithë këto muaj.