Italia po shkon drejt referendumit për të legalizuar kanabisin, pasi një grup aktivistësh ka arritur të mbledhë mbi 500 mijë nënshkrime në vetëm një javë.
Aktivistët e kanë konfirmuar lajmin me anë të një postimi në Facebook, ku shkruajnë se diçka e tillë nuk është parë ndonjëherë.
Referendumet popullore në Itali mund të organizohen nëse merren 500.000 nënshkrime dhe aktivistët morën shumën e nevojshme përpara afatit të 30 shtatorit.
Nëse publiku voton për dekriminalizimin e kanabisit, blerja, shitja dhe kultivimi i drogës do të bëhen të ligjshme sipas ligjit italian. Në Itali tregtarët e kanabisit dhe drogërave të tjera të ngjashme, mund të përballen me deri në 10 vjet burg nëse shpallen fajtorë.
“Nëse kanabisi do të ishte i ligjshëm, do t’i jepte fund gjykimeve të panevojshme”, thonë aktivistët.
Kjo pasi sasi të vogla të drogës do t’i siguroheshin pacientëve që e përdorin atë për të lehtësuar dhimbjen.
Grupi thekson se “legalizimi i kanabisit do të krijonte mijëra vende të reja pune dhe do të rriste të ardhurat nga taksat për shtetin, duke e vendosur vlerën e përafërt në 7 miliardë euro”.
Nëse propozimi miratohet nga Gjykata e Lartë, peticioni do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim dhe për të vlerësuar nëse ligji do të ishte në përputhje me Kushtetutën italiane.