Sport Messi acarohet me Pochettinon, zëvendësimi i tij bëhet çështje botërore

Messi acarohet me Pochettinon, zëvendësimi i tij bëhet çështje botërore

Një shprehje fytyre që flet qartë, apati për të mos thënë indiferencë në momentin e golit të fitores nga Icardi. Ky është Messi i minutave të fundit të ndeshjes me Lionin, pas ndërrimit, që të thuash nuk u prit mirë nga argjentinasi, është pak. Ish-kapiteni i Barcelonës ua bëri të qartë të gjithëve qëndrimin e tij, pa u shqetësuar aspak nga telekamerat, që ndeshjen e parë të tij në shtëpi e kishin primare.

Lëvizja

Mauricio Pochettino bëri një nga lëvizjet më të guximshme të karrierës së tij, kur vendosi të hiqte nga loja Lionel Messin, në minutën e 76-të, në përballjen kundër Lionit, të dielën në mbrëmje. Rezultati ishte 1-1, kur trajneri argjentinas zgjodhi të hidhte në fushë Achraf Hakimin në vend të gjashtë herë fituesit të Topit të Artë. Problemi ishte se Messi nuk ishte dakord me këtë vendim. Pyetja në këtë rast shtrohet: ku e gjeti kurajën Pochettino të ulte autoritetin e Messit?

E vërteta, në fakt, është paksa ndryshe nga ç’mund të jetë perceptuar. Në minutën e 72-të, kamerat e fokusuan Messin duke përkulur gjurin e majtë, sikur të ishte duke ndier një problem fizik. Më pas ai komunikoi me gjeste me stafin teknik, që e sinjalizoi se ndihej mirë. Pochettino, gjithsesi, e zëvendësoi me Hakimin në minutën e 76-të dhe Messi u pa qartë se ishte kundër vendimit të trajnerit, të cilit nuk i dha as dorën në momentin e daljes nga fusha. Edhe lojtarët në stolin e PSG u kapën në befasi nga ajo që ndodhi.

Sqarimi

Pochettino, në prononcimin pas ndeshjes, mbrojti vendimin e tij, duke dhënë, në njëfarë mënyrë, një mesazh për 6 herë fituesin e Topit të Artë.

“Janë vendime që dikush duhet t’i marrë për ekipin. Të gjithë e dinë që kemi lojtarë të mëdhenj, por dikush duhet të bëjë zgjedhje. Ndonjëherë vendimet janë pozitive ose jo, por kjo është arsyeja pse një skuadër futbolli ka një trajner. Mund të pajtoheni me një vendim ose jo. E pyeta Messin si ndihej dhe ai me tha se ishte mirë, pa probleme. Messi është një lojtar i madh. Kemi pesë zëvendësime në dispozicion dhe është e qartë se lojtarëve nuk u pëlqen të dalin nga fusha. Dikush duhet të marrë vendime. Unë jam në stol për të marrë vendime. Askush nuk duhet të shqetësohet për reagimin e tij.”

Polemikat

Nuk mjaftuan ovacionet e “Parc des Princes” për të evituar ndezjen mediatike të çështjes edhe përtej kufijve francezë. Zëvendësimi i Mesit ka marrë vëmendjen e të përditshmeve spanjolle dhe atyre amerikaono-jugore. “Fox Sports Brasil” dhe “Tnt Sports Argentina” kanë evidentuar mimikat e fytyrave të shokëve të skuadrës, Paredes dhe Rafinja, të cilët ishin të surprizuar. Ftohtësia e Messit te goli i Icardit është evidentuar nga “Diario Olé”.

Sipas statistikave të përpiluara nga Transfermarkt, Messi është zëvendësuar në vetëm katër raste që nga sezoni 2017-18 dhe 71 herë në 804 paraqitjet e tij në karrierë për Barcelonën dhe PSG në të gjitha garat (8.8 për qind e ndeshjeve të tij).