Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale pas debateve që janë shoqëruar në mbledhjen e Kryesisë së grupit parlamentar në selinë blu këtë të hënë në lidhje me përjashtimin e tij.
Në një postim në Facebook, Berisha thotë se Lulzim Basha ka shpallur “non grata” bazën e partisë. Kreut të PD-së, Sali Berisha i referohet si “ish-kryetari”.
“Miq, ish-kryetari sot shpalli “non grata” bazën e partisë”, shkruan Berisha.
Afro dy orë zgjati mbledhja e kryesisë së grupit të PD-së këtë të hënë, ndërsa deputeti Flamur Noka ka debatuar me kryedemokratin, duke e cilësuar thikë pas shpine largimin e Berishës pa u pyetur më parë forumet dhe strukturat e partisë.
“Vendimi ndaj Berishës ishte një thikë pas shpine për të gjithë demokratët. Ai i duhej lënë forumeve, pasi vetëm vendimi i anëtarësisë e mban të bashkuar Partinë Demokratike. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar”, tha Noka.
Nga ana tjetër, Basha ka thënë se nuk do të ketë grupim antiamerikan në PD dhe se Kuvendi i partisë nuk do të mblidhet për të diskutuar vendimet e qeverisë amerikane.
“Nuk ka dhe nuk do të ketë grupim antiamerikan nën siglën e PD-së. Nuk do të ketë Kuvend të Partisë Demokratike që vë në diskutim vendimet e qeverisë amerikane”, u shpreh Basha.
Ky debat në mbledhjen e kryesisë së grupit vjen pak ditë pasi Berisha paralajmëroi nga turi i takimeve me demokratët e Tiranës mbledhjen e firmave të 1500 delegatëve për të thirrur Kuvendin Kombëtar, e teksa një pjesë e kryesisë së forumit rinor të demokratëve ka kërkuar mbajtjen e një referendumi. Po ashtu Berisha ka paralajmëruar takim me demokratët e Fierit të martën.