Mediat italiane kanë zbardhur një pjesë të dëshmisë që ai ka bërë përpara hetuesve në Prokurorinë e Perugias mbrëmjen e së hënës.
“La Nazione” shkruan se biznesmeni 45-vjeçar ishte zhdukur duke pranuar problemet financiare që ai ka me biznesin e tij në fushën e produkteve të kozmetikës.
Kjo media shkruan se Pecorelli ka qëndruar për disa kohë në një komunitet të priftërinjve në Medugorje, qytet në Bosnje. “Aty kishte shkuar falë ndihmës së një prifti katolik shumë të njohur në Shqipëri”, raporton “La Nazione”.
Bazuar në dëshminë përpara hetuesve italianë, tashmë është konfirmuar edhe një pistë që ka qarkulluar në mediat e vendit fqinj, se Davide Pecorelli është koleksionues. E për të konfirmuar këtë, ai u ka thënë prokurorëve se po kërkonte “thesar monedhash”.
Pecorelli ka pranuar problemet ekonomike, dhe kjo ishte arsyeja kryesore që ai u zhduk duke inskenuar vdekjen e tij në Shqipëri. Kujtojmë se për herë të fundit ai ishte parë në Pukë në fillim të muajit Janar.
“Vendosa të zhdukem sepse u mposhta nga problemet ekonomike. Praktikisht jam i shkatërruar”, ka thënë ai ndër të tjera gjatë dëshmisë 3-orëshe përballë prokurorëve italianë.
Megjithatë, Pecorelli pohoi se në Tetor kishte planifikuar që të kthehej në shtëpi, pavarësisht se u demaskua përpara kohe. Sipërmarrësi italian u zbulua pasi u detyrua të njoftonte autoritetet për shkak të defektit që i pësoi gomonia në det pranë ishullit Monte Cristo.
Ndërsa javën e kaluar, ai kishte përdorur kartën e bankës për të tërhequr para nga një bankomat në Romë.
“Anëtarët e familjes time nuk e dinin se ku isha dhe arsyeja e zhdukjes nuk ka të bëjë me siguracionin e jetës. Kam qenë sipërmarrës për 30 vjet”, ka thënë Pecorelli në Prokurorinë e Perugias, referuar burimeve të “La Nazione”.
Pas marrjes në pyetje, mbrëmë Pecorelli pranoi për gazetarët italianë se është i vetëdijshëm që edhe në Shqipëri ka kryer vepër penale, pasi i vendosi zjarrin makinës që kishte marrë me qira dhe brenda mjetit u gjetën mbetje kockore. Këto mbetje nuk janë identifikuar ende kujt i përkasin, por dyshohet se janë marrë nga një varr i vjetër në Pukë.