Shkencëtarët në Wuhan kanë pasur në plan një eksperiment me koronavirusin, që në vitin 2018. Sipas propozimit që është bërë në atë kohë për aplikimin për grante, virusi do të lëshohej në ajër në popullatat e lakuriqëve kinezë për t’i imunizuar kundër sëmundjeve që mund të kalonin te njerëzit.
Dokumentet e reja tregojnë se vetëm 18 muaj para se të shfaqeshin rastet e para të Covid-19, studiuesit kishin paraqitur planet për të lëshuar nanogrimca që depërtojnë në lëkurë dhe që përmbajnë “proteina të reja kimerike të koronavirusit” në lakuriqët e shpellave në Yunnan, Kinë.
Plani përfshinte gjithashtu edhe krijimin e viruseve të tjera kimerike, të zgjeruara gjenetikisht për të infektuar më lehtë njerëzit. Propozimi për koston e projektit ka qenë 14 milionë dollarë dhe është paraqitur në Agjencinë e Projekteve të Kërkimeve të Avancuara të Mbrojtjes (Darpa).
Dokumentet, të konfirmuara për The Telegraph nga një ish-anëtar i administratës Trump, tregojnë se shkencëtarët shpresonin të prezantonin “vende specifike të ndarjes së virusit me njerëzit”, gjë që do ta bënte më të lehtë për virusin të hynte në qelizat njerëzore.
Dokumentet u publikuan nga Drastic, një ekip investigativ i krijuar nga shkencëtarë nga e gjithë bota për të studiuar origjinën e Covid-19.
Anëtarët e ekipit përfshinin Dr Shi Zhengli, studiuesja e njohur ndryshe si “gruaja e lakuriqëve të natës”, si dhe studiues amerikanë nga Universiteti i Karolinës së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Shëndetit të Kafshëve të Egra të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.
Darpa në atë kohë refuzoi ta financojë një eksperiment të tillë, duke thënë: “Është e qartë se projekti i propozuar i udhëhequr nga Peter Daszak mund të kishte vënë në rrezik komunitetet lokale”, dhe paralajmëroi se ekipi nuk i kishte marrë në konsideratë rreziqet e rritjes së virusit ose lëshimin e një vaksine nga ajri.