Kryeministri Edi Rama është takuar në Nju Jork me miliarderin amerikan George Soros. Lajmin e ka dhënë vetë kreu i qeverisë përmes publikimit të një fotoje në Facebook, ku e cilëson mik të çmuar dhe mendje të rrallë.
“Në Nju Jork me mikun e çmuar George Soros, një mendje e rrallë dhe një mbështetës i palëkundur i Shoqërisë së Hapur”, shkruan Rama krah fotos.
Kryeministri Rama prej ditësh ndodhet në Nju Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
George Soros është një investitor dhe filantrop miliarder amerikan me origjinë hungareze. Deri në mars 2021, ai kishte një pasuri neto prej 8.6 miliardë dollarësh, duke dhuruar më shumë se 32 miliardë dollarë për Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, sipas Forbes.
Gjesti i Ramës analizohet edhe si një kunj ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Që prej momentit kur sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, njoftoi vendimin për shpalljen “non grata” të Sali Berishës dhe familjes së ti, ky i fundit ka akuzuar direkt Ramën dhe Sorosin si frymëzues të këtij vendimi. Shkak, sipas Berishës ka qenë kundërshtimi i tij për ndarjen e Kosovës.