Politika Berisha: Demokratët në 25 Prill u vodhën nga Rama dhe u tradhtuan...

Berisha: Demokratët në 25 Prill u vodhën nga Rama dhe u tradhtuan nga Basha

Ish-Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje drejtuesve të PD që të mos bëjnë asnjë marrëveshje nëse nuk merret miratimi i forumeve të partisë. Nga Foltorja në Shkodër, Berisha u shpreh se me marrëveshjet që ka bërë PD nën drejtimin e Bashës, partia ka shkuar nga humbja në humbje.

“Hiqni dorë nga marrëveshjet pa miratim paraprak nga Këshilli i Partisë Demokratike, asnjë hap mos bëni. Partia Demokratike ka forume politike, pasi nga marrëveshja në marrëveshje kemi shkuar nga disfata në disfatë. Miqtë e mi, numëruam për herë të parë mandatin e tretë të Edi Ramës. Ish-kryetari i Partisë Demokratike tha se është një masakër zgjedhore, ua them me bindje se Edi Rama ka vjedhur si asnjëherë më parë, por zgjedhjet nuk i fitoi PD. Ne ishim pa lider”, tha Berisha.

Më tej ai komentoi dhe zgjedhjet e 25 Prillit, duke thënë se demokratët u vodhën nga Rama dhe u tradhtuan nga Basha, pasi sipas tij ky i fundit nuk mendoi për qytetarët por për karrigen e tij.

“Zotëria pastaj deklaroi masakrën zgjedhore dhe unë e thirra dhe i kam thënë se që është detyrë jetike që t’ua faktojmë komunitetit ndërkombëtar. Dua të faktojmë për milionat që u kanë shkuar bashkive për tërmetin. I gjithë shteti ishte në zgjedhje, u përdorën bandat, u përdorën për herë të parë dhe patronazhistët. Të njëjtën gjë bënte dhe sigurimi i shtetit. Por kjo kaloi se kryetari harroi votën tuaj, harroi votën e qytetarëve dhe u mor me karrigen e tij. Por si dolëm nga këto zgjedhje? Ne dolëm të vjedhur dhe të tradhtuar. Rama nga vodhi votën dhe pengu i tij nga tradhtoi”, shtoi Berisha.