Mediat greke kanë zbardhur skedën e shqiptarit të vrarë në Athinë 2 ditë më parë, i cili u ekzekutua në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Agios Panteleimon”.
39-vjeçari i quajtur Dikenc Halili nga Tepelena ka qenë person me precedent të mëparshëm penal dhe i njohur për autoritetet greke. Në vitin 2010, atij i ishte bërë në atentat me tritol në makinë.
Në automjetin BMW X5 të 39-vjeçarit shpërtheu eksplozivi në lagjen “Metaxourgeio” më 17 Prill 2010, duke dëmtuar pjesën e përparme të fuoristradës. Shpërthimi ishte aq i fortë sa theu edhe xhamat e dyqaneve aty pranë.
Por Dikenc Halili dhe një grua që ishte në sediljen e parë të pasagjerit mundën të shpëtonin.
Në periudhën 2011-2012, Dikenc Halili ishte akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, anëtarët e së cilës kërcënonin pronarët e “shtëpive të kuqe” (siç njihen në Greqi) në Athinë për t’u zhvatur para.
Nëse pronarët nuk shantazhoheshin, ai u vendoste zjarrin bordellove, raporton e përditshmja greke “Kathimerini”.
Të gjitha këto veprime të tij dhe e shkuara e 39-vjeçarit shqiptar janë të dokumentuara në dosjet e policisë greke.
Dikenc Halili, i njohur edhe me emrin Keli, ka qenë i përfshirë edhe në rastet e trafikut të drogës në shtetin fqinj.
Hetuesit grekë besojnë se vrasja e tij ka të bëjë pikërisht me larjen e hesapeve për shkak të së shkuarës së 39-vjeçarit.
Shqiptari ka qenë në lokalin e tij pasditen e 3 Tetorit 2021 duke folur në telefon kur një person i paidentifikuar iu afrua dhe qëlloi në drejtim të tij 8 herë me armë.
39-vjeçari u dërgua i plagosur në spital, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të shumta. Ai kishte 1 plumb në kokë, 2 në bark dhe 1 në shpatull. Autori i vrasjes u arratis me makinë pas krimit.