Kryesore Atentati mafioz në Elbasan, Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku lëviznin me makinë...

Atentati mafioz në Elbasan, Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku lëviznin me makinë të blinduar

Dy persona humbën jetën nga atentati mafioz i një mbrëmjes së të hënës në Elbasan. Lulzim Bitri, 35-vjeçari nga Katundi i Ri ndërroi jetë që në vendin e ngjarjes, ndërsa miku i tij Ardian Çollaku ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të së hënës afër rrethrrotullimit të Bradasheshit, pranë një pike karburanti. Bitri dhe Çollaku ishin duke ecur në këmbë kur janë qëlluar me breshëri automatiku nga një automjet në lëvizje.

Mësohet se dy shënjestrat e këtij atentati lëviznin zakonisht me një makinë të blinduar, ndaj dhe autorët kanë pritur rastin kur ata kanë qenë në këmbë duke qëlluar më shumë se 15 herë.

Brenda makinës tip Volvo që dyshohet se është përdorur nga autorët janë gjetur edhe 2 armë zjarri.

Armët e gjetur janë kallashnikov dhe scorpions, të cilat dyshohet të jenë përdorur nga vrasësit.

Këto armë janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për analizë më të detajuar dhe për të zbuluar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Krahas policisë së Elbasanit, në vendin e ngjarjes mbërritën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë shihet se kanë qenë 2 persona që kanë hapur zjarr, por identifikimi i tyre nga këto pamje është mjaft i vështirë.

Policia ngriti postoblloqe në akset hyrëse dhe dalëse të qytetit duke ushtruar kontrolle të shumta për kapjen e autorëve, por pa rezultat.

Bitri dhe Çollaku janë dy persona me rekorde kriminale, ndaj dhe pista kryesore e hetimit të policisë është ajo për larjen e hesapeve mes grupeve rivale që funksionojnë në këtë qytet.

35-vjeçari Bitri u arrestua në 2018 si bashkëpunëtor në një vrasje të ndodhur në Tetovë të Maqedonisë së Veriut për të cilën ka kryer edhe 4 muaj burg. Ndërsa Ardian Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, në vitin 2015 është arrestuar në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane, që e kishin dënuar atë me mbi 23 vjet burg për “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “armëmbajtje pa leje“.