Kylian Mbappe dha një intervistë për “L’Equipe”, ku ndër të tjera pranoi se kishte kërkuar largimin nga Paris Saint Germain gjatë verës dhe se destinacioni i vetëm i zgjedhur prej tij, ishte Reali i Madridit.
Kontrata e sulmuesit 22-vjeçar skadon verën e ardhshme, kohë kur Reali mund ta marrë me [parametra zero, megjithatë duket se Florentino Perez nuk ka ndërmend të presë aq gjatë, pasi do të bëjë tentativën e radhës që në muajin janar.
“Në janar do të kemi lajme nga Mbappe. Shpresojmë që ditën e parë të janarit të jetë zgjidhur gjithçka”, deklaroi presidenti i Los Blancos, i kontaktuar direkt nga programi televiziv “El Dibatitto”, për të komentuar intervistën e sulmuesit francez.
Reali i Madridit provoi deri në fund që të marrë sulmuesin francez gjatë merkatos së verës, por Paris Saint Germain rezistoi, duke ngritur një “mur të lartë” me pretendimet ekonomike, të cilat Los Blancos nuk mund t’i plotësonin dot.
Megjithatë Mbappe vijon të mos rinovojë dhe drejtuesit e klubit francez mund të pranojnë ta shesin në muajin janar, për të mos e humbur me parametra zero verën e ardhshme, kohë kur i përfundon edhe kontrata me PSG-në.