“Spiunia” e Facebook dëshmoi këtë të martë para Kongresit Amerikan. Frances Haugen foli për orë të tëra. Ajo dha një panoramë të qartë të politikave të kompanisë, ndërsa ofroi sugjerime sesi mund të rregullohet një kompani të cilën ajo e cilësoi “moralisht të falimentuar”. Paraqitja e Haugen përpara senatit amerikan është vetëm dëgjesa më e fundit e profilit të lartë për gjigandin e teknologjisë, por ishte një sesion domethënës dhe mjaft i qartë, që pritet të ketë një impakt të shtrirë në kohë.
Një prej dëgjesave më të dobishme deri më tani: Ligjvënësit amerikanë kanë mbajtur disa dëgjesa për praktikat e kompanive të teknologjisë si Facebook, Google dhe Amazon përgjatë viteve të fundit, por rrallë herë kanë parë dëshmi nga një dëshmitare që ka kaq shumë ekspertizë dhe kaq shumë sugjerime për veprime konkrete, për të ndryshuar për mirë një kompani teknologjie.
Impakti i medias sociale tek fëmijët: Dëgjesa e së martës erdhi pas një raporti të Wall Street Journal që zbulonte se Facebook kishte lënë mënjanë punën e tij kërkimore për impaktin negativ të Instagram-it tek fëmijët.
Haugen u tha ligjvënësve se Facebook i targeton qëllimisht adoleshentët, përfshirë fëmijët nën 13 vjeç. Jo më larg se javën e shkuar, kreu i sigurisë në këtë kompani Antigone Davis, iu përgjigj pyetjeve për targetimin e të rinjve, duke thënë se fëmijët nën 13 vjeç nuk lejohen në Facebook.
Haugen tha se nuk e besonte deklaratën e Facebook se do të pezullonte Instagram Kids, platformën që ka për përdoruesit e rinj që është kritikuar gjerësisht. “Sinqerisht do të surprizohesha nëse nuk do të vijonin të punonin për Instagram Kids”.
Thirrje për rregullatorë të re: Haugen tha se Facebook ka nevojë për më shumë rregulla, teksa solli një panoramë të një kompanie e cila ka mungesë stafi, ekspertize dhe transparence, që kërkon një ndryshim thelbësor. “Facebook ka ngecur në një cikël ku ka vështirësi të mëdha për të punësuar njerëz”. “Kjo bën që projektet të bëhen pa staf të mjaftueshëm, që shkakton skandale, e që më pas e bën të vështirë për të marrë njerëz në punë”.
Senatorët u duk se ranë dakord: Senatorët e krahasuan në mënyrë të përsëritur Facebook me kompanitë e duhanit, duke sugjeruar se mund të shohim rregullator të ngjashëm për platformën, ashtu si me cigaret në të shkuarën. “Facebook është si kompanitë e duhanit, që joshin të rinjtë me atë cigaren e parë”, tha senatori Ed Markey. “Llogaria e parë në media sociale e dizenjuar për t’i mbajtur fëmijët përjetë përdorues”. “Kongresi do të veprojë. Nuk do ta lejojmë kompaninë tuaj që të dëmtojë fëmijët tanë dhe familjet tona dhe demokracinë tonë edhe më tej”, shtoi Markey.
Një pamje e qartë për rolin e Facebook jashtë vendit: Haugen dha një pamje të qartë të impaktit që politikat e Facebook kanë në vendimet jashtë SHBA, duke thënë se kompania nuk u dedikon një sasi të barabartë punës kërkimore dhe burimeve për keqinformimin dhe gjuhës së urrejtjes, sa i përket kontentit që nuk është në anglisht. Kjo mungesë burimesh, tha ajo, po nxit dhunë në vende si Etiopia.
Dhe për mungesën e transparencës së Facebook: Haugen dënoi po ashtu mungesën e transparencës së Facebook. Ajo iu referua vendimit të Facebook në Gusht për të revokuar aksesin kërkuesve të Universitetit të New York, tek të dhënat e platformës për shpërndarjen e keqinformimit rreth vaksinës.
“Fakti që Facebook është kaq i frikësuar edhe për transparencën më bazike, aq sa të bllokojë kërkuesit që po bëjnë pyetje të sikletshme, tregon nevojën e mbikëqyrjes së Kongresit”, tha ajo.
Një sërë hapash të mundshme: Haugen sugjeroi marrjen e disa masave që mund të ndërmerren për të rregulluar Facebook, që me gjasë do të debatohen në javët e ardhshme. Këto masa përfshijnë një trupë të pavarur qeveritare të përbërë nga një staf me ish-punonjës të teknologjisë që kuptojnë sesi punon algoritmi, duke ndryshuar “Newsfeed” (faqen e lajmeve) që të jenë në mënyrë kronologjike në vend se të rankimit të përmbajtjes nëpërmjet një algoritmi të errët dhe duke kërkuar nga Facebook që të bëjë publike punën e tij të brendshme kërkimore.