Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi 10-mujor, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor i koduar “Përfitimi”, në kuadër të të cilët u bë arrestimi i shtetasve:
Blerim Bitri 40 vjeç, administrator i një farmacie;
Florian Marku 39 vjeç, administrator i një farmacie;
Margarita Xhaxhiu 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë;
Jani Papuli 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja M. Xh;
Florian Lila 40 vjeç, administrator i një farmacie;
Bashkim Osmani 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se “arrestimi i tyre u bë pasi gjatë periudhës së Covid-19, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë”. Po ashtu, autoritetet kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale barna të ndryshme, një automjet dhe 6 aparate celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.