Politika Berisha njofton nisjen e protestave kundër Ramës: Mos luaj me çmimet, mos...

Berisha njofton nisjen e protestave kundër Ramës: Mos luaj me çmimet, mos luaj me kafshatën

Ish-kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve për protestë, teksa vijoi takimet në Elbasan me demokratët. Ish-kryeministri paralajmëroi kreun e qeverisë, Edi Rama, që të mos luajë me çmimet dhe kafshatën e qytetarëve pasi nuk do të shqiten nga rruga pa e rrëzuar.

Sa i përket krizës energjitike, Berisha ripërsëriti se ajo është krizë e krijuar nga qeveria.

“Krizën nuk e kemi nga gazi ne sepse nuk përdorim gazin në radhë të parë. Krizën e kemi nga qeveria. E kemi nga Edi Rama dhe ministrja e tij, të cilët luajnë bixhoz me Kaskadën e Drinit. Se ndryshe nuk mund të ndodhë kjo. Akoma më keq, deklaron se rritja e çmimeve është pa kthim. Vetë thirrja që bëri ai për krizën ishte apel për të rritur çmimet. Vetë thirrja ishte apel, por ja gazi ra pikiatë tani? Ai thotë nuk kanë kthim çmimet? Pse nuk kanë kthim çmimet? Sepse je përfitues kryesor nga oligarkët e tu.

Ne duhet t’i themi këto fjalë. Ne duhet të përgatitemi për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi. Protestë, protestë dhe vetëm protestë. Dhe Edi Rama duhet ta dish mirë, që kur të ngrihemi ne në këmbë në protestë, nga rruga nuk shqitemi pa të hedhur ty aty ku e meriton. Mos luaj me çmimet, mos luaj me kafshatën, se shqiptarët paguajnë kafshatën 80 herë më shtrenjtë se sa qytetarët e vendeve anëtare të BE-së sepse ata paguajnë naftën për shkak tëndin një lloj si qytetarin e Zvicrës, të cilët kanë një rrogë mesatare 6000 mijë Eurosh kundrejt 400 Euro që marrin shqiptarët. Mos luaj me shqiptarët, mos luaj me çmimet. Ne po ngrihemi si opozitë e vërtetë, si opozitë që do i tregojmë vendit siç i treguam në ‘90 regjimit të etërve të tyre. Ndaj dhe ftoj demokratët, demokratet të përgatitemi për një betejë gjer në fitoren tonë të plotë, fitoren e merituar”, tha Berisha.