4 turistë rusë, të afërm me njëri-tjetrin u gjetën pa shenja jetë në shezlongët e pishinës së brendshme të një hoteli në Qerret të Durrësit.
Grupi i turistëve mbërriti të dielën e kaluar në vendin tonë, ndërsa vizituan disa pika turistike. Prenotimin në hotelin e Qerretit e kishin bërë më herët, ndërkohë akomodimi i tyre u bë mbrëmjen e së premtes.
Sipas dëshmive të punonjësve të hotelit ata kishin kërkuar të përdornin saunën e cila ndodhet në katin e nëndheshëm të biznesit. Natalia,Sergei vajza e tyre Ekaterina Burenkova dhe i fejuari i saj Nikita Belousov ende nuk dihet nëse kanë përdorur saunën, ndërsa trupat e tyre të pajetë u gjetën disa metra më tutje në afërsi të pishinës së brendshme nga punonjës të hotelit.
Për prokurorinë, pistë kryesore mbetet asfiksia ndërsa dyshohet se konsumimi i alkoolit mund të ketë ndikuar në komplikacione respiratore. Hetimi ndiqet nga prokurori i Kavajës Gëzim Copa ndërsa pritet akt-ekspertimi i mjekësisë ligjore për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes së turistëve.
Për ngjarjen është vënë në dijeni dhe ambasada ruse, ndërsa përfaqësues të saj u paraqitën në mjekësinë ligjore për të mësuar më shumë mbi humbjen e jetës së 4 turistëve.