Tess McClure – The Guardian
Qeveria e Zelandës së Re po përdor një sërë metodash, truke dhe stimuj gjithnjë e më të çuditshme për të vaksinuar dhe 20% të popullsisë së mbetur.
Ndërsa rriten rastet e reja dhe disa qytete janë të mbyllur, qeveria është në një garë me kohën, duke u përpjekur të vaksinojë sa më shumë njerëz në mënyrë që të ndalojë përhapjen e virusit dhe të parandalojë një valë të re.
Kompania ajrore kombëtare, Air New Zealand, njoftoi këtë javë se do të shndërrojë një avion në një klinikë të re vaksinimi, e kompletuar me shërbimin e ushqimit dhe opsionin e argëtimit gjatë fluturimit 30 minutësh pas vaksinimit.
“Njerëzit do të ngjiten nga dera e përparme e avionit ku do të bëjnë dozën e vaksinës. Më pas do të kalojnë në kabinën tjetër ku do të shpërndahet ushqim dhe për 30 minuta do të shijojnë udhëtimin”, tha linja ajrore në një deklaratë.
Një zëdhënës i linjës ajrore konfirmoi se ata që vaksinoheshin do të hanin ushqimet tradicionale.
Mjeku Andrew Connolly tha se që njerëzit të vaksinohen, duhet ta besojnë vaksinën me zemër dhe mendje.
Dhe, çelësi për të fituar ato zemra dhe mendje, duket se është… pula.
Në një supermarket, njerëzit që vaksinohen do të mund të marrin një pulë të pjekur. Në një supermarket tjetër po ofrohet një kuti e madhe me KFC për të varfrit që vaksinohen. Gjithashtu në të gjithë vendin po jepen kutia me mish pulë për të gjithë ato që bëjnë dozën e parë të vaksinës.
Aq e thellë është dashuria e dukshme e Zelandës së Re për ushqimin e shpejtë saqë qeveria ka qenë në bisedime për të dërguar autobusë vaksinimi për të ofruar doza në radhët e pritjes në sportelet e dyqaneve dhe Fast- Food-eve.
Në Hamilton, klientët e McDonald’s mund të merrnin një speciale njëditore: një fotografi të Pfizer së bashku me kombinimin e tyre të hamburgerit. Në Christchurch, atyre që vaksinohen do t’u ofrohen peshk dhe patate të skuqura nga kamionë ushqimi. Vende të tjera japin çokollata dhe akullore.
Disa klinika vaksinimi gjithashtu ofrojnë dhoma të posaçme për personat autik, me aftësi të kufizuara ose të sëmurët. Një klinikë izoloi një dhomë totalisht nga zhurmat për të krijuar një mjedis më të butë, të qetë për personat që mund ta kenë të vështirë të rrinë në një ambient të zhurmshëm.
Në vendet më të largëta të Aotearoa, rojet e parkut të Departamentit të Ruajtjes ofruan shërbimet e tyre. Rojet zakonisht i kushtojnë ditët e tyre kontrollit dhe menaxhimit të specieve për florën dhe faunën vendase dhe kanë një rrjet që shtrihet në rajonet më të paarritshme të vendit. Një zëdhënës i departamentit tha se rojet do të përdorin flotën e tyre të automjeteve për të transportuar njerëz në qendrat e vaksinimit, me operacione në zonat përreth dhe ishin të gatshëm të shkonin dhe në zonat më të thella. Rojet madje përgatisin vetë ushqime dhe ëmbëlsira për personat që banojnë në ato zona.
Nuk është e qartë nëse këto lloj stimulimesh janë të mjaftueshme për të bindur njerëzit të vaksinohen. Një sondazh nga Universiteti i Melburnit gjeti se vetëm 12% deri 16% e australianëve të moshës 18 deri në 49 vjeç, të cilët nuk donin ose nuk ishin të sigurt për vaksinën do të ndikoheshin nga një bonus në para. Por strategjia mund të rezultojë më efektive për vende të tjera. Që nga e enjtja, 81% e Zelandës së Re të kualifikuar, ata të moshës 12 vjeç e lart kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 59% ishin plotësisht të vaksinuar.
Më gjerësisht, iniciativat janë pjesë e një shtytjeje më të gjerë për t’i dhënë një atmosferë komuniteti, larg çdo ndarje partiake.
Autoritetet po tentojnë të bindin edhe me mënyra të tjera, si për shembull, duke dhënë bileta falas për koncerte në natyrë apo dhe bileta falas për muzikë live kurdo që të hapet vendi.
“Qeveria gjithashtu ka nisur një “garë” ditore. Çdo ditë do të transmetojë live se cilat qytete kanë normën më të lartë të vaksinimit, kështu nxitet një “garë e shëndetshme”.
“Zelanda e Re ka qenë udhëheqëse në botë në numrin e ulët të rasteve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Unë besoj se do të jemi të parët edhe për vaksinimin”, tha kryeministrja, Jacinda Ardern.