Një përfaqësi pedagogësh universitarë të udhëhequr nga ish-deputeti demokrat Mark Marku, realizuan një takim me ministren e Arsimit Besa Shahini, në kuadër të një sërë kërkesash të parashtruara ndaj qeverisë, ku përfshihet dhe shfuqizimi i Ligjit të Arsimit të Lartë, apo dhe shfuqizimi i VKM-të që shoqëron Paktin për Universitetin. Për këtë të fundit pretendojnë se shkel autonominë universitare.
Ata kanë diskutuar, por jo dakortuar, e kjo nuk u ka lënë shije të mirë pedagogëve.
“Diskutuam për gjendjen në universitet dhe i qëndruam bisedave rreth kërkesave që takimi i asambleve të Universitetit të Tiranës ka mbajtur. U diskutua shumë por nuk ramë dakord për asgjë. Ne qamë hallet por pa marrë përgjigje konkrete. Ministrja nuk ka vullnetin për t’u përgjigjur për gjendjen adekuate në të cilën ndodhet universiteti”, deklaroi Marku pas takimit.
Marku tha se do të pritet deri në mbrëmje dhe më pas do të thirren në një takim Asambletë për të vendosur si do të zhvillohet më tej.
“Presim deri në darkë nëse jo do marrim qëndrimin për mosreagim ndaj kërkesave tona si refuzim. Do i drejtohemi trupës akademike për një grevë të përgjithshme të pedagogëve”, shtoi pedagogu Marku.