Kosova Mbyllen votimi në Kosovë, asnjë incident madhor, pjesëmarrja e ngjashme si në...

Mbyllen votimi në Kosovë, asnjë incident madhor, pjesëmarrja e ngjashme si në zgjedhjet e 2017

Në Kosovë u mbajtën sot zgjedhjet lokale. Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit dhe deri tani procesi ka ecur i qetë përveç disa incidenteve të veçuara.

Policia tha se ka arrestuar 4 persona për tentativa të blerjes së votës ose pengim të procesit, por që janë konsideruar raste të veçuara.

Normalisht ka vijuar procesi edhe në veri të Kosovës apo në komunat me shumicë serbe. Zgjedhjet janë monitoruar edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë.

Të drejtë vote kanë pasur 1.8 milionë qytetarë, 90 mijë më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Zgjedhjet u zhvilluan me masa të veçanta për shkak të pandemisë.

Dalja në zgjedhje, sipas të dhënave të KQZ-së, ishte 43 përqind, shifër e ngjashme me daljen në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

166 kandidatë për kryetar të komunave

166 kandidatë për kryetar të komunave dhe mbi 5 mijë kandidatë për kuvende komunale të 89 subjekteve politike synojnë të fitojnë në 38 komunat e Kosovës.

Sipas sistemit zgjedhor, postin e kryetarit të komunës e siguron në raundin e parë kandidati që merr 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet, atëherë organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar votat më të shumta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se nuk pati ndonjë vështirësi në rrjedhën e procesit.

Votimet e sotme u mbajtën në kohë pandemie, ku maskat, distanca fizike dhe ndalimi i grumbullimeve i më shumë se 50 personave mbeten në fuqi, ndonëse përgjatë fushatës nuk janë respektuar nga partitë politike.

Autoritetet vendase thanë se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, ndërsa presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje për proces të qetë dhe pjesëmarrje sa më të gjerë në votime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje që të shfrytëzohet procesi i votimit nga të gjithë qytetarët.

Edhe përfaqësuesit e partive opozitare bënë thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të vendosur për qeverisjen lokale.

Konkurrenca

Konkurrenca më e fuqishme për zgjedhjet komunale të 17 tetorit në Kosovë, u zhvillua në Prishtinë.

Rreth 25 mijë vëzhgues e ndoqën procesin e zgjedhjeve të së dielës për pushtetin komunal në Kosovë. Mbi 100 prej tyre janë pjesë e misionit të vëzhgimit nga Bashkimit Evropian, shefi i të cilit, Lukas Mandl, tha se procesi i votimeve po zhvillohen pa ndonjë problem që do ta dëmtonte atë.

Mbi 3 mijë e 300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës, u kujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe parandalimin e shkeljeve.

Zgjedhjet e sotme shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe lëvizjen Vetëvendosje, që dolën fitues në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti.