Aktualitet Zbardhet dinamika e vrasjes së anëtarit të Bandës së Lushnjës: Si u...

Zbardhet dinamika e vrasjes së anëtarit të Bandës së Lushnjës: Si u nxor në pritë

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e 38-vjeçarit Alban Semaku, i cili u gjet i pajetë në Peqin, pranë lumit Shkumbin.

Anëtari i Bandës së Lushnjës dyshohet të jetë nxjerrë në pritë nga persona të paidentifikuar.

Burime pohuan se dyshohet që një person i njohur ta ketë transportuar të ndjerin në vendin ku u gjet i vrarë.

Nuk përjashtohet mundësia që në drejtimin e makinës që transportoi Semakun të ketë qenë një femër.

Në momentin që ka mbërritur në vendin ku u gjet i vrarë, 38-vjeçari u përball menjëherë me autorët të cilët dyshohet të kenë qenë të fshehur në shkurret pranë vendngjarjes.

Nga këqyrjet paraprake dhe dinamika e ekzekutimit dyshohet që viktima ka tentuar të largohet duke kaluar murin, por nuk ia ka dalë. Kjo vërtetohet nga njollat e shumta të gjakut që u gjetën në një distance të gjatë.

Prandaj grupi hetimor i mëshon këtij varianti, që përforcohet edhe nga dy nga katër gëzhojat e kalibrit 9mm, që janë u gjetën në vendngjarje. Nga dëshmitë e banorëve të zonës, nuk janë dëgjuar të shtëna çka ngre dyshime të forta se autorët qëlluan me armë silenciator, raporton Panorama.

E shkuara kriminale e viktimës

Alban Semaku ishte anëtar i bandës së Lushnjes dhe deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali.

Sipas policisë, në vitin 2006, ky shtetas është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.

Më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit Alban Semaku, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”, një kre hër pistolete me 6 fishekë dhe dy doza heroinë.

Me vendimin e datës 16.11.2015 të Gjykatës së Rrethit Lushnjë është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja” dhe është liruar nga burgu 06.05.2021, pasi ka vuajtur dënimin në I.E.V.P Peqin.