Tomas Strakosha po rikthehet në ditët e tij më të mira. Portieri i Kombëtares ishte titullar në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Olimpikut të Marsejës në Ligën e Europës, ku ka shkëlqyer me performancën e tij.
Strakosha ishte lojtari më i mirë në fushë për Lacion në atë barazim 0-0. Ai është vlerësuar me notën 7 nga shtypi sportiv, pasi arriti të fitonte duelin me sulmuesin Çengiz Under gjatë gjithë ndeshjes, duke e ruajtur rrjetën e tij të paprekur. Nëse francezët nuk shënuan, është për meritë të tij.
Kjo paraqitje e mirë e portierit kuqezi në Ligën e Europës mund të ndezë dritën jeshile edhe për kampionatin, ku deri tani ai ka qenë në stol. Ajo gafë e bërë në Stamboll disa javë më parë tashmë duket një kujtim i largët për Strakoshën. Aktivizimi i tij i rregullt është shumë i rëndësishëm në këtë moment dhe duket se gradualisht po ia del të arrijë nivelin e sezoneve të fundit.
Gjatë këtij sezoni, asnjë nga dy portierët e Kombëtares nuk ka qenë titullar me ekipin e tij. Berisha ka qëndruar në stol me Torinon, ndërsa Strakosha të paktën po luan në kompeticionet europiane. Trajneri i kuqezinjve, Edi Reja, ka zgjedhur Berishën si titullar në Kombëtare, falë përvojës më të madhe që ai ka.