Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç gjatë një interviste televizive ka deklaruar se është planifikuar vrasja e Presidentit, Aleksandër Vuçiç. Gjatë intervistës për TV Pink në Beograd, kryeministrja serbe ka shtuar se gjithçka kishte lidhje me një tentativë për grusht shteti.
“Ka qenë e planifikuar për një kohë të gjatë dhe në detaje”, ka deklaruar Bërnabiç duke shtuar se krahas kësaj ka pasur një fushatë mediatike për të ngritur akuza ndaj presidentit serb në mënyrë që ai dhe familja të etiketoheshin si klan kriminal.
Sipas asaj që ka deklaruar kryeministrja serbe, vrasja e Vuçiç ishte planifikuar që të realizohej më 27 janar në Beograd gjatë inaugurimit të monumentit të Stefan Nemanja.
Bërnabiç nuk ka dhënë detaje pse prokuroria nuk nisi procedura hetimore kundër organizatorëve.
Ana Bërnabiç tha se Vuçiç ishte nën presion nga sulmet ndaj djalit të tij, Danilo, sepse nuk mund ta fajësojnë atë për asgjë që lidhet me çështjet ekonomike dhe politike.
“E dinë cila është pika e tij e dobët dhe nisën ta godisni Danilon. Ju po kriminalizoni një të ri, ai është vazhdimisht në faqet e para të gazetave ditore dhe javore”, shtoi Bërnabiç.