Sport Tirana-Partizani përballë shifrave dhe kuriozitete

Tirana-Partizani përballë shifrave dhe kuriozitete

Derbi i kryeqytetit ndez dy të tretat e Tiranës. Tani është gjithçka gati në Air Albania Stadium për një ndër sfidat më të ndjera të sezonit të Kategorisë  Superiores 2021-2022.

Në këtë kampionat ku akoma nuk ka skuadra që udhëheqin në pozicione të sigurta të renditjes, por që ka dhuruar shumë ndeshje emocionuese, derbi ndërmjet skuadrave të drejtuara nga Orges Shehi dhe Ilir Daja do të dhurojë sigurisht emocione të mëdha.

Statistikat e veçanta

Do të jenë përballë sulmuesit me vlerën më të madhe të kampionatit në aspektin e pritshmërive për gol. Stenio Junior i Partizani udhëheq këtë klasifikim të veçantë në lidhje me pritshmëritë për gola në nivelin 3.41 në ndeshje, i ndjekur nga Xhixha i Tiranës me 3.05 dhe Seferi me 2.41.

Albion Marku i Partizanit është lojtari që kroson më shumë në të gjithë kampionatin. Me shifrën e 8.74 krosave për ndeshje ka një diferencë shumë të madhe me emrin e dytë në këtë renditje të veçantë, me Zguron e Skënderbeut që është në vend të dytë me 4.99 krosime për ndeshje.

Partizani ka në përbërje dy prej lojtarëve më të fortë në luftën në ajër të këtij kampionati: Eljon Sota dhe Dajan Sheji Nga ana tjetër, Tirana ka Najdovskin dhe Hoxhallarin. Partizani është skuadra që mban më shumë topin në këtë kampionat, me një mesatare prej 61% zotërim topi.

Edhe Tirana është në zonë pozitive, me një mesatare prej 53%. Tirana dhe Partizani janë dy skuadrat që në këto pesë javë të para të kampionatit kanë gjuajtur më shumë në drejtim të portës, respektivisht 71 dhe 70 herë. Të gjithë këto të dhëna konfirmojnë se derbi i ditës së hënë do të jetë sigurisht i hapur për çdo lloj rezultati.

Masat e policisë për mbarëvajtjen e ndeshjes

Policia e Tiranës ka publikuar masat e marra për mbarëvajtjen e ndeshjes Tirana-Partizani që do të zhvillohet nesër në orën 19:45, në stadiumin “Air Albania”. Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në  ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozerive.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitet, janë: Rruga përreth  stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek  stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë: Lëvizja e tifozëve të Tiranës do kryhet: Xhamllik – ura e Rrugës së Elbasanit – rruga “Pap Gjon Pali  II” – Stadium; Pallati i Operas – Rruga e Elbasanit,– rruga “ Barjam Curri” – rruga “Pap Gjon Pali II” – stadium.

Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi para Gardës – rruga “Lek Dukagjini” –  stadiumi.

Autoritetet sqarojnë se do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj. dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.