Meteorologia e Metoalb, Lajda Porja, ka bërë parashikimin e motit gjatë javës, duke njoftuar se do kemi një mot të qëndrueshëm, pa reshje shiu dhe të gjithë do shijojmë rrezet e diellit.
“Ka patur një përmirësim të dukshëm duke qenë se reshjet janë fokusuar aktualisht vetëm në zonat jugore dhe juglindore. Madje dhe në këto zona ka patur në orët e para të mëngjesit shira të dobët dhe lokal, pritet që pas orës 10 të kemi përmirësime të dukshme të motit. Vranësirat do të zhvendosen vetëm në zonat malore për t’ia lënë vendin diellit në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore.
Parashikohet që gjatë kësaj jave, deri ditën e premte që moti të jetë i qëndrueshëm, vranësirat do jenë shumë pak të pranishme dhe kryesisht në pjesën e dytë të ditës dhe më të dukshme do jenë në zonat verilindore dhe juglindore.
Megjithëse në zonat malore do të ketë vranësira, nuk parashikohet të ketë reshje, pra na pret një javë pa reshje dhe me diell. Në mëngjes moti është i freskët, ndërsa mesdita sjell rritje nga dita në ditë. Sot parashikohet të jemi në temperaturat 20-21 gradë, ndërkohë duke filluar që nga e marta dhe deri ditën e premte do të kemi luhatje të pakta të vlerave termike, nuk presim ndonjë ndryshim drastik, por do jemi në vlerën jo më shumë se 22-23 gradë.
Megjithëse temperaturat pak të ulta krahasuar me vlerat të cilat duhet të jenë, do shijohet sepse do kemi të pranishëm rrezatimin diellor, do kemi shumë orë me diell dhe do ndihet vërtet një mesditë e ngrohtë dhe një mëngjes pak i freskët”, është shprehur Lajda Porja për Klan News.