Në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews, të ftuarit që i përkasin fushës së shëndetësisë diskutuan rreth vaksinimit dhe arsyet pse shumë qytetarë hezitojnë për t’u vaksinuar.
Arsyet e hezitimit vijnë nga disa teori që janë përhapur si në rrjetet sociale, edhe nëpër media, të cilësuara si konspiracione. Një nga këto teori është që vaksina shkakton sterilitet, teori që u hodh poshtë nga nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku.
Dritan Ulqinaku theksoi se vaksinimi nuk shkakton probleme me fertilitetin.
“Nuk janë teori konspirative, janë gënjeshtra. Thonë se po të vaksinohesh, ka mundësi që të ngelësh steril”, u shpreh z. Ulqinaku.
Dritan Ulqinaku përmendi se në Evropë, prej një viti është vaksinuar rreth 70% e popullsisë, ndërsa lindjet kanë vijuar normalisht.
Kjo është kohë e mjaftueshme për të provuar se kjo teori nuk është e vërtetë, sipas z. Ulqinaku.