Bota Ishin të lidhur me Hezbollahun, Kosova vendos sanksione ndaj 7 personave dhe...

Ishin të lidhur me Hezbollahun, Kosova vendos sanksione ndaj 7 personave dhe një kompanie

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit, vendosi sanksione ndaj 7 personave dhe një kompanie, të dyshuara për lidhje me grupimin ushtarak libanez Hezbollah.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz deklaroi se këto sanksione vendosen konform Rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për lidhjet e tyre me organizatën terroriste Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik.

Sanksionet konsistojnë në ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve nga individët dhe entitete në Kosovë.

Për këtë vendim reagoi dhe kryeministri Albin Kurti i cili tha se Kosova është e angazhuar drejtpërdrejt në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes afirmimit ligjor, qasjes strategjike dhe veprimeve ekzekutive si dhe pjesëmarrjes aktive në Koalicionin Global.